Ftesës së Edi Ramës për dialog, Lulzim Basha iu përgjigj me një tjetër ftesë. Ajo nuk i drejtohej Kryeministrit, por qytetarëve, të cilët kreu i PD i ftoi që t’i bashkohen protestës së radhës të thirrur nga opozita për pasditen e së hënës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama që të mos kalojë caqet. “Mos bëj të fortin pas autoblindave dhe gazit lotsjellës. Harroje që do të marrësh dhe mbash pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë do të lutesh që të kesh fatin e Nikolla Gruevskit”, tha ai.
Në konferencën e me gazetarët të thirrur në orën 17:00, pak pasi një të tillë mbylli rivali i tij politik, Basha foli për një betejë që nuk bëhet për pushtet dhe as një betejë personale mes tij dhe Ramës, por për të ardhmen e vendit.
“Beteja nuk është betejë për pushtet dhe jo sfidë personale mes meje dhe Ramës, sepse në sfidat personale e kam mundur. Sot Edi Ramën e ka mundur lodhja, pushtetit 21-vjeçar, e ka mundur arroganca dhe hajnia. Sot jemi nisur për të rikthyer normalitetin politik në vend, për t’i kthyer shpresën këtij vendi dhe mundësitë që çdo shqiptar të jetojë me dinjitet”, vijoi Basha.
Sipas kryetarit të PD-së, prej gjashtë vitesh vendi po sundohet. Basha flet për një krizë të gjithanshme që ka përfshirë vendin, që si burim thotë se kanë krizën politike. Për dhunën në protestën e së shtunës, Basha përsëriti akuzën drejtuar ndaj Edi Ramës si urdhëruesin e vërtetë të akteve të dhunës ndaj protestuesve dhe helmimit të Tiranës me gaz nga ana e policisë.
“U pa qartë sesa i shkëputur është nga realiteti ky sundimtar që i shikon ngjarjet nga vila e tij miliona dollarëshe në Surrel. Herë bën gaztorin dhe herë të fortin, arrogantin dhe cinikun. Kështu nuk mund të vazhdohet më”, shtoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



