Zëvendëskryeministri Erion Braçe dhe nënkryetari i Partisë Demokratike janë përshirë në replika para protestës së opozitës, që pritet të nisë sot në 18:30.
Braçe shprehet se nuk i tregon dhe as nuk i uron burgun askujt, por thjesht i kujton ligjin dhe sanksionet që burojnë prej tij për ata që shkelin ligjin.
Ai thekson se kush ka vjedhur, vrarë, djegur dhe grabitur në këtë vend do të përballet me ligjin, kushdo qoftë ai. Një ditë më parë, numri dy i qeverisë Rama tha se çdo dhunë e protestuesve në tubimin e sotëm tek kryeministria do të marrë përgjigjen ligjore.
“Unë as i tregoj e as i dua #Burgun kërkujt! Sidomos cilitdo që qoftë edhe modestisht mendon! Por #Ligjin, kujt #vodhi e përseri do vjedhë, kujt #dhunoi e përsëri do dhunojë, kujt #dogji e përsëri do djegë, kujt #vrau e përsëri do vrasë, patjetër që ja tregoj! Ndodh kudo ku ka qytetarë që sulmohen nga politika e vjedhjes, dhunës, djegies dhe vrasjes së gjithkujt që është një qytetar që beson veç tek #ligji! E di që ka qorrë e shurdhë që e përqeshin këtë, mbështetur fort te sistemi i pandëshkueshmërisë hëm kur vjedh e hëm kur vret!
Por ka një ditë, një ditë, kur ligji është mbi të gjithë dhe i barabartë për secilin. Ku është fundi që duhet të mendojë gjithkush, si ta doni, politikisht apo ligjërisht! Ditë të mirë e të paqtë; Mos harroni, #Divjaka është 50 minuta larg prej Tiranës!” -shkruan ai në Instagram.
Ndërsa Paloka i është përgjigjur zv. Kryeministrit, duke thënë se nuk ka folur për ligjin për trafikantë dhe vrasës.
“Kur dëgjoj Erion Braçen që flet me pasion për ligjin, kujtohem që nuk hapi asnjëherë gojën për kolegët trafikantë droge, vrasës, përdhunues dhe më vjen te qesh.
Kur Braçe bën si i virgjër me ligjin, kujtohem që ishte altoparlanti i parë i Edi Ramës, që e bëri mushkonjë Myzeqeje avionin e drogës ne Divjakë”, shprehet Paloka.
Ai shkon edhe më tej duke e quajtur Braçën shërbëtor të Bandës së Lushnjës. “Por më shumë argëtohem, kur shërbetori i Bandës së Lushnjës, na flet për burgun.
Erionët dhe braçet e Edi Ramës duhet ta kenë të qartë se koha kur bandat e tyre vendosnin se kush i fiton zgjedhjet, ka marrë fund”, – vijon Paloka.
Ai përfundon duke nënvizuar se “kushdo që del kundër vullnetit plebishitar për zgjedhje të lira e të ndershme, pa lodrat e krimit në qeveri, do të mbajë përgjegjësi personale! I vetmi lehtësim që mund t’i bëjmë Braçes është që ta vendosim në qelinë fqinje me Enver Dondollakun dhe Aldo Baren”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




