Major Klodian Tanushi është efektivi i dytë shqiptar që ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar gjatë misionit të NATO-s.
Tanushi u plagos mëngjesin e 6 majit nga shpërthimi i një mine, ku humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj. Prej 4 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa dje ndërroi jetë.
Lajmi i dhimbshëm u dha mbrëmë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, pikërisht në ditën që iu dha lamtumira në Varrezat e Dëshmorëve nëntetares Zarife Hasanaj.
“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë”, shkruan ministrja Xhacka.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit për vdekjen e major Klodian Tanushi. Meta i shpreh ngushëllimet bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij.
“I tronditur nga lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta të Komandantit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO në Letoni, major Klodian Tanushi.
Në këto momente shumë të vështira për familjen Tanushi, me zemër jam pranë bashkëshortes dhe tri fëmijëve të tij, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta! U prehsh në paqen e përjetshme heroi ynë!”, shkruan Meta.
Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi fëmijëve, bashkëshortes dhe familjarëve të majorit Klodian Tanushi.
“Ndaj dhimbjen me fëmijët, bashkëshorten dhe familjarët e komandantit trim, majorit Klodian Tanushi.
Klodian Tanushi është një engjëll mbrojtës i paqes dhe ra dëshmor për Shqipërinë, Letoninë dhe Europën, për garantimin dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve letonezë dhe europianë. Shqipëri, ji krenare për bijtë e tu që sakrifikohen për sigurinë e qytetarëve të Europës dhe të botës!”, shkruan në mesazhin e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Sot në bazën e NATO-s “Camp Arena” në Herat Afganistan flamuri shqiptar është ulur në gjysmë shtizë. Kontingjenti i V-të Paqeruajtës nderoi veprën sublime të dëshmorëve të rënë Letoni.

Klodian Tanushi ndodhej i shtruar në “RIGA EAST UNIVERSITY HOSPITAL”, në Letoni dhe sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjendja shëndetësore e tij ishte e rënduar. Mbrëmjen e djeshme, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Katër ditë më parë, nga shpërthimi i një mine në bazën ushtarake Camp Adazi në Letoni humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj dhe u plagosën major Klodian Tanushi, i cili ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme, dhe reshter Julian Kapaj. Ky i fundit ndodhet në gjendje të stabilizuar.
Jeta dhe karriera e major Klodian Tanushit
Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tri fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skënderbej.
Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-rë “Për asgjësimin e municioneve me eksploziv”.
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Aëareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Më 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontingjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga ministri i Mbrojtjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)








