Në një takim të organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike me studentët EDS (European Democratic Studentes), një forum i Partive Popullore Europiane, kryedemokrati Lulzim Basha u shfaq së bashku me Glauk Olldashin, djalin e ish-rivalit të tij për postin e kreut të partisë, Sokol Olldashi.
Një lëvizje politike e Bashës, i cili shfrytëzoi mundësinë për t’u paraqitur në forumin politik që dikur drejtohej nga Sokol Olldashi me të birin e kundërshtarit brenda PD-së.
“Në këtë sallë ndodhen studentë që janë ngritur në një betejë të pashembullt, prej më shumë se një dekade në Europë. Studentë të Universiteteve Shpatarë të mbështetur nga miq e shokë të tyre, studentë që studiojnë jashtë shteti, njëri prej tyre Glauk Olldashi, që kam kënaqësinë e veçantë ta përshëndes, t’i uroj mirëseardhjen në këtë bashkëbisedim. Merita e tij është që në ditën e parë ka qenë krah studentëve shqiptarë në betejën për arsimin e lartë të standardeve europiane. Por natyrisht nderon trashëgiminë e babait të tij, ish-kryetarit të FRPD, një miku dhe bashkëpunëtorit tim, një nga liderët e PD ndarë nga jeta tragjikisht para disa vitesh, z. Sokol Olldashi”, tha Basha në këtë takim.

Glauk Olldashi studion në Britaninë e Madhe për ekonomi politike. Prezenca e këtij në këtë takim duket se lidhet dhe me faktin se ai është pjesë e këtij rrjeti të universiteteve EDS.
Gjatë fjalë së shkurtër të mbajtur në këtë takim ai theksoi se duhet të punohet për të ndryshuar imazhin e vendit te bashkëmoshatarët europianë, pasi perceptimi është i gabuar edhe nga vetë EDS. “Përshtypja e parë që kanë për Shqipërinë nuk është aq e mirë, dhe unë mendoj se qëllimi i rinisë, veçanërisht i rinisë demokrate shqiptare sidomos nëpër botë dhe në Europë është të punojnë që të ndryshojë rrënjësisht mënyra se si flasin e mendojnë për shqiptarët. Shqiptarët nuk janë të këqij, janë të mirë, po ashtu më të mirë se europianët”, theksoi Glauk Olldashi.
Pak ditë më parë kryedemokrati gjatë një bashkëbisedimi me pedagogët e Universitetit të Tiranës, prezente ishte edhe Enkelejda Olldashi, bashkëshortja e ish-deputetit të PD-së, Sokol Olldashi. Para nisjes së këtij takimi, Basha dhe zonja Olldashi gjetën rastin e një shtrëngimi duarsh mes tyre.

Ndërsa në muajin prill, në protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, Glauk Olldashi do të ishte në vëmendjen e medias vizive dhe asaj të shkruar pasi ishte i pranishëm.
Tashmë përfshirjen e tij në politikë vetë Glauk Olldashi nuk e ka mohuar, duke e cilësuar në media si një moment të favorshëm për t’u angazhuar.
Ky afrim i tij favorizon edhe Partinë Demokratike, e cila po e shfrytëzon pozitivisht, pas thyerjes që pati me Rudina Hajdarin, vajzën e liderit të dhjetorit ’90, Azem Hajdari, e cila refuzoi dorëzimin e mandatit, duke dalë kundër vendimit të opozitës. Gjithashtu kjo lëvizje mund të sfumojë dhe partinë e re politike “Bindja Demokratike” të Astrit Patozit, ish-nënkryetar i PD-së, mbështetës i flaktë i Sokol Olldashit në garën përballë Lulzim Bashës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Sokol Olldashi, ishte një nga ministrat më të suksesshëm të qeverisë Berisha gjatë vitit 2005-2009. Pasi fitoi një nga zonat më të vështira elektorale në Durrës, Olldashi do të bëhej ministër i Brendshëm. Aksionet e tij do të rriteshin shumë shpejt, ndërsa përballë tij do të ishte Lulzim Basha, kryetari i KOP-it, të njeriut të cilësuar si “delfini politik” i Berishës.
Dukshëm mes Olldashit dhe Bashës do të kishte rivalitet politik, e brenda PD-së ishin krijuar rrymat politike. Figurat e rëndësishme politike brenda PD-së të saj kohe si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Mesila Doda, Majlinda Bregu dhe Genc Ruli do të ishin në grupimin që mbështesin Sokol Olldashin. Në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve, lideri historik i PD-së, Sali Berisha do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Gara për postin e kryetarit u zhvillua mes deputetit të PD-së, Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës, i cili ishte kryetar i bashkisë së Tiranës. Më 22 korrik 2013 nga votimi i anëtarësisë së PD-së, fitues doli Lulzim Basha, i mbështetur nga Berisha. Karriera politike e Sokol Olldashit u ndërpre pas një aksidenti tragjik rrugor në nëntor të vitit 2013 në zonën e Krrabës, ku humbi dhe jetën.
Pas konsolidimit të pushtetit brenda PD-së, Basha do të ndërmerrte një fushatë largimi të kundërshtarëve brenda partisë, të njohur edhe si mbështetësit e Sokol Olldashit, duke filluar me Astrit Patozin, Ridvan Boden, Genc Rulin, Majlinda Bregun dhe Jozefina Topallin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



