Lajme

Përcillet në Varrezat e Dëshmorëve nëntetarja Zarife Hasanaj

Është varrosur sot në Varrezat e Dëshmorëve nëntetarja 32-vjeçare Zarife Hasanaj, e cila ra në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni. Familjarë, të afërm e miq, por edhe personalitete të larta shtetërore i dhanë lamtumirën e fundit nëntetares që vdiq në krye të detyrës. Arkivoli i mbuluar me flamurin kuq e zi që mban trupin e Dëshmores së Atdheut iu drejtua rreth orës 13:50 monumentit “Nënë Shqipëri”.

Homazhet për ushtaraken shqiptare u mbajtën më parë gjatë paradites në Pallatin e Kongreseve. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, që e shpalli të premten ditë zie kombëtare, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt u ulën në gjysmështizë dhe në orën 12:00 u mbajt një minutë heshtje. Edhe në selinë e NATO-s flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë. Gjatë ceremonisë zyrtare kanë mbajtur fjalën e tyre shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku, ministrja e Mbrojtjes dhe kryeministri Edi Rama.

Ministjra Olta Xhaçka u shpreh se “bashkë me trishtimin, ndjente edhe krenari e respekt për ata shqiptarë që sakrifikuan gjithçka në shërbim të atdheut”. “Zarifja ju bashkohet sot atyre dhjetëra mijëra djemve e vajzave, që dhanë jetën për atdheun. Ata që shërbejnë në FA, njerëz të thjeshtë, por që i bën të jashtëzakonshëm përkushtimi ndaj uniformës. Humbëm një nga më të mirat që kishim dhe që do ta kemi shumë të vështirë ta zëvendësojmë”, tha ajo.

“Është e vështirë të gjej fjalët për ushtaraken, të ndjerën Zarife Hasanaj, këtu në sytë e prindërve të saj që në vend se me fustanin e nusërisë në pragun e derës, në krahë të dhëndrit po e përcjellin vajzën e tyre mbështjellë me flamurin kombëtar në krah të shokëve të saj të FARSH; në praninë e 2 motrave, vëllait të saj, pranë prindërve e rrethit familjar ndiejnë boshllëkun e pangushëllueshëm; në praninë e shokëve dhe shoqeve të saj lidhur në besën e atij flamuri që na jep nderin dhe emrin shqiptar për të cilin FARSH është betuar të sakrifikojë edhe jetën në mbrojtje të atdheut dhe amanetit që atdheu e ka të shkruar në pëlhurën kuq e zi ku është mbështjellë trupi i dëshmores më të re të Republikës”, tha kryeministri Rama në fjalën e tij.
“Detyra e kërkon që sidoqoftë fjalët të gjenden dhe të thuhen dhe përulësisht i shpreh ngushëllimet më të ndjera si kryeministër i Shqipërisë, si qytetar i kësaj republike dhe si prind e vëlla i prindërve, motrave, vëllait dhe gjithë të afërmve të vajzës e cila tanimë i përket të gjithë atyre që ikën dhe do të vijnë në këtë botë me gjakun dhe emrin shqiptar. Vajza e mbështjellë me flamurin e atdheut është sot mishërimi tronditës i të vërtetës të besnikërisë ndaj atdheut që e kanë krijuar dhe e krijojnë përditë ne kryerjen e misionit të saj qenien e patjetërsueshme e pazëvendësueshme të Forcave të Armatosur të Republikës”, u shpreh kryeministri.

“Sot flamuri është në gjysmë shtizë për të nderuar të parën vajzë në historinë e FA-ve që ndahet nga jeta për shkak të detyrës. Dhe nën flamurin kuqezi do të bëjë rrugëtimin e fundit për t’u ndalur përjetë në varrezat e dëshmorëve të kombit. Mbi kryet e saj do të jetë nëna Shqipëri, ndërsa ne të tjerëve nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm ta kujtojmë sa të rrojmë me të gjitha ata që u ndanë nga kjo jetë për t’u kthyer në pjesë të altarit të atdheut. Ta kujtojmë jo vetëm në datat e caktuara kushtuar dëshmorëve por duke u përpjekur të mos e harrojmë në të përditshmen tonë, amanetin e tyre për Shqipërinë”, tha Rama.

Trupi i ushtarakes shqiptare mbërriti dje në atdhe, ndërkohë gjatë paradites në bazën Camp Adazi në Letoni u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.
Nëntetarja Zarife Hasanaj është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Lajmin ministrja e Mbrojtjes ua dha personalisht familjarëve të ushtarakes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë