Lajme

Kolegji rrëzon ankimimin, “Bindja” merr pjesë në zgjedhje

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e Partisë Bashkimi Demokrat për të çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit Partinë Bindja Demokratike.
Seanca u mbajt sot në Kolegjin Zgjedhor, me anëtarë Tomor Skerli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj, Astrit Kalaja, Ridvan Hado dhe rrëzimi është bërë për shkak të moslegjitimitetit të padisë.
Bashkimi Demokratik Shqiptar, parti aleate e PD-së, me kryetar Ylber Valterin depozitoi më 1 maj në Kolegjin Zgjedhor ankimin për çregjistrimin e Bindja Demokratike, duke argumentuar se vendimi i KQZ-së ishte marrë në kundërshtim me ligjin, pikërisht me nenin 64 të Kodit Zgjedhor.
“Vërtetimi i gjykatës, i paraqitur në KQZ nga Bindja Demokratike nuk ka marrë formë të prerë. Duke futur në garë, në kundërshtim me ligjin për partitë dhe Kodin Zgjedhor, organizata politike të paregjistruara në Gjykatë, KQZ cenon kushtet e barabarta në zgjedhje dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve. Kodi Zgjedhor thotë qartë se ‘për të marrë pjesë në zgjedhje një parti duhet të paraqesë vërtetimin e regjistrimit në gjykatë’, gjë që Bindja Demokratike nuk e ka, sepse vërtetimi i paraqitur nuk është i formës së prerë. Deri në 23 prill 2019, kur ishte afati i fundit për të dorëzuar kërkesat në KQZ, Bindja Demokratike nuk ekzistonte si parti, prandaj pranimi i saj në zgjedhje nga KQZ është i paligjshëm”, thuhej në argumentet e PBDSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë