Lajme

Lleshaj mbledh Task-Forcën: S’ka shans të pengohen zgjedhjet

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë mbledhjes me anëtarët e Task Forcës Qendrore, prefektë, drejtorë të policisë, atyre të Kufirit dhe përfaqësues nga Task Forcat Vendore deklaroi se prefektët dhe Policia e Shtetit në çdo qark kanë detyrë mbarëvajtjen për organizimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
“Vendi është pothuajse i futur në fushatë, të gjitha agjencitë ligjzbatuese kanë detyra për një proces zgjedhor sikur e kërkon ligji. Zhvillimi i zgjedhjeve në prag të vendimmarrjeve së rëndësishme për vendin. Ka përpjekje për të krijuar vështirësi për zhvillimin e procesit. Të gjitha strukturat, prefektët të koordinojnë institucionet me qëllim që të ofrohen të gjitha mundësitë që qytetarët të kenë mundësi të shprehin të drejtën për të votuar. Lista e plotë e përgjegjësive që ligji u jep prefektëve me hartimin, publikimin e listave, njoftimin e qytetarëve që procesi të zhvillohet sikur e kërkon ligji, i drejtë i barabartë dhe pa asnjë problem dhe asnjë incident. Përgjegjësi ka edhe policia, që duhet të krijojë mjedis të sigurt, që të realizohet kjo çdo drejtues i policisë duhet të jetë i angazhuar dhe i motivuar që procesi të zhvillohet si duhet”, u shpreh ministri Lleshaj.
Sa i përket paralajmërimit të opozitës për bllokimin e procesit, u shpreh se një gjë e tillë nuk ka asnjë shans që të ndodhë.
“Askush nuk mund të cenojë procesin, janë e drejtë e qytetarëve. Dita e zgjedhjeve, askush nuk duhet të ketë të drejtë, mundësi apo shans që të prekë integritetin e një procesi që është thelbi i demokracisë së vendit”, deklaroi ai.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, po ashtu ka folur për masat e marra në luftën kundër kultivimit të kanabisit në territorin e vendit tonë.
Gjatë fjalës së tij, ministri Lleshaj u ka dhënë ultimatum të gjithë zyrtarëve të lartë të policisë datën 15 qershor për eliminimin e kanabisit në gjithë territorin e vendit.
Ai tha se nëse deri në 15 qershor çdo bimë e kapur është detyrë dhe meritë e tyre, pas kësaj date, çdo gjë e kapur është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre.
Ai u ka dhënë porosi të gjithë drejtuesve të policisë se duhet të kenë kujdes, pasi ka përpjekje për riaktivizimin e kultivimit të kanabisit.
“Lufta nuk është e përfunduar. Kemi pasur beteja të fituara me sukses falë përkushtimit të strukturave, por kjo nuk është arsye për relaks. Kërkohet angazhim i madh, thellim i punës me qëllim që të shuhet çdo përpjekje në embrion që synon të riaktivizojë kultivimin e kësaj bime narkotike. Agjencitë tona janë të angazhuara në një proces të madh për marrjen e informacionit që ka për qëllim të identifikojë çdo përpjekje. Dua të them që me gjithë sukseset, potenciali për riaktivizim të këtij fenomeni ekziston, ndonëse në trajta embrionale”, tha ndër të tjera Lleshaj.
Sa u përket personave të shpallur në kërkim, ministri Lleshaj tha se policia ka për detyrë që kjo listë e personave që i fshihen drejtësisë të shkurtohet.
“Në fushën e krimit të organizuar është prioritet kapja e personave në kërkim. Vendi ka një listë shumë të gjatë të personave që i shmangen drejtësisë. Ka qindra persona që i shmangen drejtësisë. Përgjegjësia është ulja e kësaj liste. Keni ë listë, e cila kërkohet të ulet. Të merremi emër për emër për të gjithë ata që i janë shmangur drejtësisë”, tha ndër të tjera Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë