Lajme

Plan për ndarjen e Kosovës? Rama ashpërson tonet ndaj Haradinajt

Marrëzi dhe gënjeshtër e ka cilësuar kryeministri Edi Rama deklaratën e homologut të tij, Haradinaj, se ka biseduar me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiç për shkëmbim territoresh.

I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me Federika Mogherinin, Rama tha se për këtë çëshjte do flasë në një moment të dytë.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën apo për të krijuar një hartë të re për botën, më kujton atë shprehjen që pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet, sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe.

Pa përmendur emër, Rama shkoi deri aty sa Haradinajt iu referua si budalla dhe gënjeshtar që po artikulon gënjeshtra jashtë çdo realiteti.

“Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online”.

Kreu i qeverisë pohoi se në një moment të dytë, kur t’i jepet mundësia do të shpjegojë më shumë detaje.

Më herët, kryeministri Haradinaj tha se ka dyshime që kreu i qeverisë shqiptare Rama, presidenti Kosovar Thaçi dhe ai serb Vuçiç, të kenë folur bashkarisht për tezën e shkë,bimit të kufijve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë