Nuk ka kaluar pa incidente protesta e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër ardhjes së Presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë, I cili ndodhet në Tiranë me ftesë të presidentit Ilir Meta për samitin e Brdo-Brijunit.

Selia e lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë kishte paralajmëruar më herët zhvillimin e tubimit, por kur kanë zbritur në “terren” kanë hasur në kundërshtimin e forcave të rendit që e kanë cilësuar protestën të paligjshme.

Policia tentoi të largojë me forcë aktivistët, por në këtë moment është tensionuar situata, pasi turma ka shtyrë përpara duke tentuar të çajë kordonin e uniformave blu. Aktivistët pas kësaj kanë shpalosur një banderolë, ku shkruhet “Non-grata Vuçiç dhe Dodik”.

Por ishte thirrja me megafon: “Tubimi juaj është i paligjshëm, shpërndahuni ose do të procedoheni”, që ka “tërbuar” protestuesit që më pas janë përleshur sërish me policinë, e cila ishte vendosur në gardh për të mos lejuar kalimin e aktivistëve.
Qytetarët kanë tentuar të hyjnë në bulevard dhe të marshojnë drejt sheshit “Nënë Tereza”, por janë shtyrë me forcë nga policia.

Policia ka shoqëruar disa nga tubuesit dhe paralajmëroi organizatorët e protestës se do të mbajnë përgjegjësi ligjore, por kjo nuk e ka penguar turmën të kore kundër Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




