Politike

Negociatat, Rama: I kemi bërë detyrat. Mogherini: Nuk është e lehtë!

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në një konferencë shtypi me zyrtaren e lartë të BE-së, Federika Mogherini se ka ardhur koha që Shqipërisë t’i çelen negociatat. Sipas tij, vendi i ka përmbushur detyrat e lëna edhe një vit më parë, me procesin “screening”.

“Jemi të vetëdijshëm që në fund të ditës, nxitimi i një vendimi final mbi rekomandimin e Komisionit do varet nga rrethanat specifike në vendet anëtare. Vendimmarrjet për ne në nivelin e vendeve anëtare varen nga ne po aq sa varen edhe nga faktori jashtë nesh, por besoj që ëshë koha për t’i dhënë fund një përpjekjeje për një fazë siç është ajo e hapjes së negociatave”, tha Rama.

Dhe për ta mbështetur argumentin e tij përmendi rezultatet e vitit të kaluar. “Ne, falë rezultateve të vitit të shkuar, na u dha mundësia për të filluar punën e procesit “screening”, kështu që s’kemi humbur asgjë, por çelja e negociatave është guri që i mungon këtij themeli për të vijuar rrugën tonë europiane”, u shpreh Rama.

Rama theksoi edhe një herë, në përgjigje edhe ndaj kryedemokratit Basha se zgjedhjet lokale do të mbahen në 30 qershor:

“Një gjë është e sigurt, në 30 qershor do zgjidhen 61 kandidatët për kryetar bashkie dhe procesi do vijojë sipas Kushtetutës”.

Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme në BE, Mogherini tha se janë rezultatet e arritura deri tani në Reformën në Drejtësi janë të kënaqshme, por sqaroi se objektivi nuk është i lehtë për t’ arritur.

“Ashtu siç e tha edhe kryeministri Rama, Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, ku raportet tregojnë një ulje drastike e kultivimit të kanabisit. Unë besoj se çelja e negociatave në qershor është objektiv i arritshëm, por s’është e lehtë, pasi secili shtet anëtar duhet të bindet plotësisht dhe të votojë pro, shpjegoi Mogherini. – Objektivi ynë i përbashkët është të punojmë për këtë gjë që opinion publik dhe ata që marrin vendime në vendet anëtare të kuptojnë punën që keni bërë. I inkurajojmë të gjithë në Shqipëri, jo vetëm kryeministrin por edhe qytetarët. Komunikoni me çdo njeri që njihni nga vendet anëtare të BE-së që të mbështesin Shqipërinë dhe ta pranojnë atë”, u shpreh Përfaqësuesja e Lartë e BE.

Ajo shprehu domosdoshmërinë e të qenurit të bashkuar kur bëhet fjalë për integrimin e vendit, duke adresuar, kështu mesazh të drejtpërdrejtë për partitë politike. Mogherini u shpreh se partitë kanë përgjegjësi pasi janë votuar nga qytetarët.

“Për këtë gjë duhet të lihen mënjanë ndasitë, sepse të gjithë e kanë objektiv integrimin europian të vendit: partitë politike nuk duhet t’ia kthejnë shpinën vendit, ky është një mesazh i fortë se këtë presin qytetarët shqiptarë. Të gjitha palët duhet të jenë të bashkuara për integrimin”.

Mogherini mori si shembull reformën në drejtësi, teksa nënvizoi rëndësinë e këtij procesi. Ajo u shpreh besimplotë se falë edhe rezultateve të sondazhit të bërë nga BE, 88 për qind e qytetarëve shqiptarë duan integrimin europian.

“Kjo është një ndjesi positive ndaj BE, është në objektivin e BE që ne të hapim negociatat. Ju e keni bërë pjesën tuaj, për mua personalisht do të ishte një zhgënjim i madh nëse negociatat nuk hapen pas pak muajsh”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë