Lajme

E ardhmja e Kosovës, Thaçi takon Metën dhe Ramën në Tiranë

Presidenti Ilir Meta është takuar ditën e sotme me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi.

Meta është shprehur i kënaqur për vizitën e Thaçit, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Brdo-Brijuni.

“Shumë i kënaqur të takohesha sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Brdo-Brijuni”, u shpreh Meta.

Më tej Presidenti shton se temë diskutimi në takimin e tyre ishte rritja e bashkëpunimit rajonal si domosdoshmëri për integrimin europian, ndërsa thekson se liberalizimi i vizave për Kosovën është i merituar.

“Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin europian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, mëse i merituar”- shkruan Meta në Facebook.

Thaçi më pas ka takuar kryeministrin Rama, ku është diskutuar për hapjen e plotë të kufirit mes dy vendeve.

Pas takimit, në një status në Facebook, Presidenti i Kosovës ka konfirmuar faktin se është folur për çështjen e kufirit.

“Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike”, shkruan Thaçi.

Po ashtu ai ka zbardhur edhe një pjesë tjetër të bisedës e cila është fokusuar te bashkimi i faktorit shqiptar.

“Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë