Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, pas shoqërimit është arrestuar nga policia e Tiranës. Në orët e pasdites atij i është komunikuar edhe arresti në kushtet e flagrancës, ndërsa ishte pjesë e reagimit të qytetarëve paraditen e sotme.
Balliu së bashku me 5 banorë të “Astirit” u shoqëruan në polici gjatë ditës së sotme pas përplasjes me uniformat blu te Unaza e Re, në tentativë për t’i bllokuar rrugën Kryeministrit që po inspektonte një fabrikë në atë zonë. Në orët e pasdites u liruan 4 nga protestuesit, ndërsa Balliu dhe Elton Skënderi ende nuk janë liruar.Ndërkohë para komisariatit vijojnë të jenë jo vetëm banorët, por edhe ish-deputetë të PD-së.
Veliu viziton policët e plagosur gjatë protestës

Gjatë tubimit të paligjshëm zhvilluar sot në mesditë në aksin kryesor rrugor në zonën e Unazës së Re, një grup protestuesish kanë goditur me sende të forta duke plagosur 4 punonjës policie, 3 nga forcat “Shqiponja” dhe 1 nga FNSH.
Efektivët e Policisë po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në orët e pasdites policët e lënduar i vizitoi në spital Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtues të larte të policisë.
Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet procedurale dhe hetimore për të përballur me drejtësinë, autorët e sulmit mbi forcat e rendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




