Lajme

Fotot – Përkujtohet nëntetarja Hasanaj, Xhaçka dhe ekipi hetimor drejt Letonisë


Një ditë pas shpërthimit tragjik që i mori jetën nëntetares shqiptare, Zarife Hasanaj në Letoni, në kampin Adazi u zhvillua ceremonia përkujtimore në nderim të ushtarakes shqiptare, që ishte pjesë e batalionit të NATO-s.
Në ceremoni mori pjesë i gjithë kontingjenti shqiptar në grup-batalionin e NATO-s në Letoni dhe përfaqësuesi ushtarak shqiptar në NATO. Kolegë dhe kolege të cilët nuk ndalin dot lotët nderuan nëntetaren e rënë në krye të detyrës.
Si pasojë e shpërthimit të minës, ngjarja e ndodhur më 6 maj mbetën të plagosur edhe dy efektivë të forcave të armatosura shqiptare komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Gjendja shëndetësore e Major Tanushit është e rëndë, ndërsa Kapaj është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve zyrtare një grup i Task-Forcës udhëtoi drejtoi shtetit baltik për të ndjekur hetimet dhe shkaqet e shpërthimit të minës. Ky grup do të ndjekë nga afër mbledhjen e provave mbi ngjarjen së bashku me autoritetet e Letonisë. Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Grupi, në përbërje të të cilit ka përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Policia Ushtarake dhe Drejtoria e Inspektimit në MM do të hetojë për rrethanat e ngjarjes, mbledhjen e provave, etj.
Drejt Letonisë mësohet se pasditen e djeshme është nisur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka, e cila ndërpreu vizitën zyrtare në Itali, ku kishte të parashikuar takime me kryeministrin italian Giuseppe Conte dhe homologen italiane Elisabetta Trenta.

NATO ngushëllon familjarët e efektives shqiptare: Humbëm njërën prej nesh
NATO ka reaguar pas humbjes tragjike të jetës së efektives shqiptare, Zarife Hasanaj nga shpërthimi i një mine një ditë më parë në një mision paqeruajtës 6-mujor në Letoni.
Në një reagim në faqen e saj zyrtare, NATO ka shprehur keqardhje për humbjen e thellë.
“Me keqardhje të thellë brengosemi për humbjen e njërës prej nesh, OR-5 Zarife Hasanaj. Jemi të gjithë thellësisht të prekur nga humbja e Hasanaj dhe në këto kohë të vështira i shprehim ngushëllimet tona familjes, miqve, kolegëve dhe të gjithë të afërmve të saj.
Ne qëndrojmë në solidaritet me aleatet shqiptarë dhe miqtë tanë ndërsa vuajmë humbjen dhe plagosjen e kolegeve tanë të NATO Ehanced Forward Presence Battle Group”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë