Parlamenti holandez pritet të publikojë së shpejti qëndrimin në lidhje me çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Një delegacion holandez zhvilloi një vizitë dyditore në Shqipëri, në prag të publikimit të progresraportit vjetor të Komisionit Evropian. Në përfundim të takimeve me përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile, delegacioni i deputetëve holandez të kryesuar nga Anne Mulder, Hayke Veldman (reporter për Ballkanin Perëndimor) dhanë një konferencë për median.
Veldman deklaroi se gjatë takimeve nuk është diskutuar mbi çështjen e vizave, për vendimin e marrë së fundi nga Parlamenti i Holandës ku i kërkonte qeverisë që të paraqiste kërkesën për rivendosjen e sistemit Shengen ndaj Shqipërisë. Kjo sipas tij do të jetë pjesë një diskutimi të mëvonshëm.
“Ne jemi të informuar dhe të ndërgjegjshëm që votimi i Parlamentit holandez në lidhje me liberalizimin e vizave ka tërhequr shumë vëmendjen në Shqipëri. Më lejoni t’ju them që kjo nuk ka qenë arsyeja e vizitës tonë dhe as ka qenë një temë që ne e kemi trajtuar në takimet që patëm. Kjo çështje do të jetë një nga çështjet e agjendës gjatë vizitës së parlamentarëve shqiptarë në Holandë në fund të këtij muaji”, deklaroi Veldman.
Në lidhje me hapjen e negociatave, deputeti holandez u shpreh se i takon Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin, më pas do të diskutohet edhe në Parlamentin e Holandës.

“Më lejoni të falënderoj parlamentin shqiptar, qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile për kohën që na dhanë duke na pritur. Ne vumë re një dëshirë nga ana e autoriteteve shqiptare për të vazhduar plotësimin e kritereve kyçe të vendosura nga BE. Ne i urojmë Shqipërisë çdo sukses në zbatimin e agjendës së reformave. Tashmë i takon Komisionit Evropian të bëjë vlerësimin e vet dhe të propozojë një rekomandim për Shqipërinë. Ne presim me dëshirën më të mirë raportin e progresit që do të publikojë Komisioni Europian dhe ne do ta diskutojmë në parlament pasi ai të jetë publikuar.

Konkluzionet e takimit në Shqipëri, do të publikohet së shpejti në faqen e parlamentit holandez. Delegacioni i deputetëve të Holandës ka pasur takime edhe me përfaqësues të mazhorancës parlamentare dhe të opozitës, si dhe me ministrin e Jashtëm ,Gent Cakaj. Më herët ky delegacion ka zhvilluar takime zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut.
Në fund të majit pritet të publikohet raporti vjetor i Komisionit Europian. Brenda tre javëve pritet që Këshilli Europian të marrë vendim për rekomandimet e paraqitura nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’i çelet ose jo negociatat. Tirana zyrtare shprehet optimiste për rekomandimin e KE-së, por përflitet se vendimi i Këshillit Europian mund të mos merret në qershor, për shkak të kohës së pakët që kanë në dispozicion.
Ndërsa vendet me peshë si Gjermania kanë hedhur idenë se për çeljen ose jo të negociatave vendimi mund të merret në vjeshtë. Kjo u bë prezente edhe nga zyrtarët e lartë të CDU-CSU-së pas samitit të Berlinit me 6 shtete të Ballkanit Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




