Sa më shumë të zgjatë kriza politike në vend, aq më shumë pasoja do t’i sjellë vendit. Në këtë përfundim ka dalë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk shikon rrugë zgjidhje tjetër, veç arritjes së një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës.
Në rast të kundërt, ish-lideri historik demokrat parashikon një përplasje të fuqishme, edhe pse menjëherë specifikon se përplasja do të jetë mos popullit dhe narkoshtetit, siç e cilëson ai qeverinë Rama.
“Kjo është një betejë që nuk shoh zgjidhje dhe unë nuk shoh gjë tjetër deri tani, veç një përplasje të fuqishme, – tha Berisha i ftuar në emisionin “360 gradë”. – Kjo do të thotë mos bindje civile, ose opozita e përmbys këtë regjim, ose do shkojë drejt shuarjes së saj. Nuk e kam fjalën për përplasje civile mes popullit, por përplasje mes popullit dhe narko-shtetit”.
Ish-kryeministri theksoi qëndrimin e opozitës se zgjedhjet në 30 qershor nuk duhet të ketë. Kjo krizë sipas tij e paprecedentë, meriton të ketë një marrëveshje absolute.
“Data 30 maj më duket një datë e largët për ekzistencën e Edi Ramës si kryeministër, nuk duhet të ndodhë më 30 qershor për zgjedhje, por ai duhet të largohet më parë. Nëse nuk do ketë marrëveshje do ketë përplasje. Nuk ka njeri që ta pranojë këtë situatë që të mos luftojë për ekzistencën e tij, opozita do mbijetojë, ka një kauzë të drejtë. Rama nuk duhet të shkojë deri në një situatë të tillë sa të bëjë zgjedhjet në 30 qershor”, – paralajmëroi ai.
Mbi një takim të mundshëm mes Ramës dhe Bashës, Berisha bën një krahasim: “Ulja e Bashës me Ramën kryeministër është si puthja me Judën. Pikë! Ulja e zotit Basha me Ramën me kreun e PS-së pa qenë kryeministër, është tjetër. Nuk besoj se zoti Basha dhe askush tjetër ka autoritetin dhe të drejtën t’u kërkojë socialistëve shqiptarë, se cilin do të kenë kryetar. Kjo nuk do të ndodhë”.
Berisha ka mohuar akuzat e kreut të qeverisë Rama se Astrit Patozi është “djali” politik i tij në këtë krizë politike, duke thënë se “kjo është përqeshja më e madhe që Edi Rama i ka bërë Astrit Patozit”
Ai theksoi se pas dorëheqjes si kryetar i PD-, nuk e ka menduar asnjëherë që të rikthehet në këtë post. “Unë nuk mund të them kurrë më, ah sikur të isha edhe njëherë. Sepse kam dhënë një dorëheqje me ndërgjegje të plotë dhe as në një të qindën e sekondës nuk e përfytyroj vetën sikur të isha më. Është perceptim i gabuar që unë ndikoj në vendimet që merr kreu aktual i partisë”.
Në lidhje me çeljen e negociatave, Berisha shtoi se Shqipëria nën drejtimin e Ramës nuk ka plotësuar asgjë detyrë dhe prioritet të BE
“Vendet anëtare janë të gjitha më ambasada këtu, me zyra këtu dhe i kanë prozhektorët. Rama nëse merrte deklaratën e Bundestagut në vitin 2016 Edi Rama i merrte ne 2018 negociatat. Nëse do merrte për bazë të 13 kërkesat e ministrave të punëve të jashtme të 27 majit 2018 sot do hapeshin negociatat. Por përkundrazi asnjë nuk është plotësuar, ka përkeqësim të tyre. Atëherë këtu nuk ka negociata. Fjalën time si një ish-president, si ish-kryeministër e them që të hapen negociatat dhe kushtet të plotësohen mbrapa, por këtë formulë nuk e pranon kush. Rama është përpjekur të diskreditojë opozitën, por në fakt ka diskredituar veten”, – vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




