Kreu i qeverisë Edi Rama ka folur për herë të parë mbi heqjen e tabelave provokuese në rrugë, në Finiq dhe zonat përreth Sarandës.
Duke folur në një aktivitet në kuadër të “Javës së Europës”, Rama tha se ato tabela do të vendosen sërish këtë të martë mbi bazën e duhur ligjore. Sipas tij, vendimi për t’i hequr nuk kishte asnjë lidhje me zonën minoritare.
“Tabelat nuk u hoqën se kishte lidhje me minoritetin por ishin jashtë kritereve dhe pa marrë parasysh parametrat e sigurisë duke shmangur nevojën e një leje që do t’i evitonte të gjitha këto dhe shpenzimet e bëra. Nuk u hoqën për të mos u vënë më, deri të premten do të jetë të vendosura të gjitha mbi bazën e ligjit në fuqi dhe kritereve teknike”, tha Rama.
Ai vijoi më tej duke u dhënë përgjigje edhe atyre që shprehen kritikë mbi mbishkrimin në dy gjuhë në ato tabela.
“Të gjithë atyre që bëjnë patriotin apo ultra-atdhetarin duke vendosur kujën, sepse në një zonë ku jeton minoriteti ka tabela ku shkruhet edhe greqisht, u them se ne jemi një vend europian dhe kur flasim për Europën, flasim edhe për këtë; përveçse për traditën tonë të respektit dhe të të trajtimit të barabartë të kujtdo, pavarësisht kombësisë, që jeton në këtë shtëpi”, shpjegoi kryeministri.
Për çështjen e tabelave të hequra, kanë reaguar edhe PBDNJ dhe Omonia në Shqipëri, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar i mbështetur nga dhjetëra forca policie nga Saranda zbarkoi mbrëmjen e së shtunës në bashkinë minoritare dhe hoqi 35 tabela të ngjashme të vendosura në rrugën kombëtare Qafë Muzinë-Sarandë-Konispol. Por aksioni, hasi në kundërshtimin e policisë bashkiake të Finiqit dhe banorëve të pakicës greke.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




