Lajme

Vdekja e ushtarakes, Letonia nis hetimet: Incident i paqartë!

Komandanti i forcave të Armatosura në Letoni, Lejtnant Gjeneral, Leonīds Kalniņš, ka informuar mbi atë çfarë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në bazën e Adazisë, ku humbi jetën një ushtarake shqiptare.

Në një dalje për mediat, ai theksoi se ende është e paqartë se si ka ndodhur shpërthimi i minës, që i mori jetën 32-vjecares shqiptare, ndërsa njoftoi se policia vendase dhe forcat e armatosura kanë nisur hetimet mbi shpërthimin.

Ndërsa hetimi është në proces, është ndërprerë trajnimi në bazën ushtarake në Adazi, derisa të përcaktohen shkaqet e asaj ç’ka ndodhi.

“Kam urdhëruar një inspektim të plotë në bazë për të gjetur mina ende të pashkelura, deri atëherë nuk do të ketë trajnim”, – u shpreh Kalnins.

I pyetur nëse viktimat dhe familja e të ndjerës do të kompensohen, Kalnins theksoi se kompensimi do të paguhej në përputhje me ligjin shqiptar, por Letonia shprehu gatishmërinë për të transportuar trupin në atdhe.

Zarife Hasana humbi jetën pasi një minë shpërtheu në momentin e demontimit. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs “Enhanced Forëard Presence”.

Ambasada amerikane në Tiranë: Nderojmë sakrificën!

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156345806715838

Ndërkohë, Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar për vdekjen tragjike të një efektiveje shqiptare gjatë një misioni të NATO-s, në Letoni.

Përmes një statusi në Facebook, shkruhet se ambasada nderon sakrificën e 32-vjeçares dhe uron për shërim të shpejtë të dy efektivëve të tjerë të plagosur.

“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për familjen dhe miqtë e Zafire Hasanaj, ushtaren e vrarë sot në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni dhe i urojmë shërim të shpejtë dy ushtarëve shqiptarë të plagosur. Ne nderojmë sakrificën e saj”, shkruhet në status.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë