Papa Françesku ndodhet prej ditës së djeshme në një vizitë zyrtare në Bullgari. Kryeministri bullgar, Bojko Borisov e priti Papën në aeroport së bashku me pjesëtarë të kabinetit dhe e përshëndeti me forcë këtë vizitë, duke thënë se “ajo pasqyron interesin e kreut të Kishës Katolike për një zhvillim paqësor e ekonomik të Ballkanit”.

Papa Françesku ka bërë përpjekje për t’u dhënë fund tensioneve në mes të Kishës Ortodokse dhe Katolike. Por, autoriteti më i lartë i Kishës Ortodokse të Bullgarisë, ka refuzuar çdo mundësi të mbajtjes së lutjeve të përbashkëta me Papën.
“Ne duam të theksojmë se çdo formë e lutjeve të përbashkëta është e papranueshme për ne për shkak të ligjeve kishtare që nuk e lejojnë”, tha ai.

Ndërkohë, sot në ditën e dytë të vizitës në Bullgari, Papa Françesku vizitoi qendrën e refugjatëve Vrazhdebna, e cila ndodhet në periferi të Sofjes. Fëmijë nga Iraku, Pakistani dhe zona të tjera të konflikteve, kënduan për Papën dhe i dhuruan atij vizatime. Papa i ka krahasuar vuajtjet e refugjatëve me Krishtin e kryqëzuar.

“Sot, bota e migrantëve dhe refugjatëve është një lloj kryqi, kryqi i njerëzimit. Është një kryq që shumë njerëz e vuajnë”, tha Papa.

Nesër, Papa Françesku do të udhëtojë në drejtim të Maqedonisë së Veriut, duke shënuar vizitën e parë të një kreu të selisë së shenjtë në këtë vend.
Institucionet shtetërore në Maqedoni janë përgatitur për pritjen që do t’i bëhet Papa Françeskut në qendër të Shkupit. Me vendim qeverie të martën në territorin e Shkupit është shpallur ditë jo pune. Nuk do të punojnë as shkollat e as çerdhet. Vizitat e tij në dy vendet e Ballkanit shihen si përpjekje për të kapërcyer tensionet e përhershme midis degëve ortodokse dhe katolike të krishterimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



