Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar me shumicë votash dekretin e presidentit Ilir Meta për kthimin e ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit. Deputetët që votuan pro dekretit të presidentit ishin Ylli Shehu dhe Lefter Maliqi.
Gjatë seancës, Lleshaj foli me tone të ashpra ndaj kreut të shtetit, duke thënë se argumentet e sjella nga Presidenca janë përtej absurdit dhe paranojake.
“Vetingun në polici i takon ta bëjë SHÇBA. Vetingu nuk është politik. Me gjithë respektin për presidentin dhe institucionin e Presidencës, po paragjykohet një institucion i rëndësishëm në vend siç është Ministria e Brendshme. MB është një institucion me rëndësi në vend, që bën më tepër sesa një proces vettingu”, u shpreh ministri Lleshaj.
Po ashtu, ministri Lleshaj tha se ky ligj nuk vë në presion Policinë e Shtetit.
“Pra nëse ne pretendojmë që është prekur pavarësia e procesit sepse këta personat e fazës së dytë dhe të tretë janë në varësi të ministrit, atëherë edhe me ligjin e mëparshëm kjo pavarësi është e prekur, sepse edhe me ligjin e mëparshëm personat që do të bëjnë këtë proces janë në varësi të ministrit. Pra kjo bie. Pretendimi i Presidentit është që nëse i japim më shumë kohë procesit në e vëmë në presion njerëzit që janë në proces vetingut. Vetingu është një proces që do të vazhdojë edhe kur të mbarojë ky ligj. Nëse ka njerëz që ndihen nën presion nga vettingu, shumë mirë le të ndihet nën presion kush ka arsye për t’u ndjerë nën presion. Shumica absolute e policisë nuk është nën presion nga vettingu sepse nuk presin asgjë të ndodhë nga vettingu. Ju ftoj që ti qëndroni vendimit të mëparshëm për ta lënë në fuqi ligjin, për ta rrëzuar dekretin e presidentit për arsye se përmes kësaj ne jemi të sigurt që i japim një ritëm të ri procesit”, tha ndër të tjera Lleshaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



