Lajme

Vetëvendosja paralajmëron protesta kundër Vuçiç në Tiranë

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Shqipëri i ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë të sqarojnë menjëherë dhe publikisht se cilat do jenë temat e takimit, ku pritet të marrin pjesë disa liderë të Ballkanit, mes tyre edhe presidenti serb Vuçiç dhe ai i Republika Srpska, Milorad Dodik.

“Liderët e Ballkanit nuk janë të njëjtë në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe prandaj nuk mund të trajtohen të gjithë njëlloj nga shteti shqiptar. Nëse Vuçiçi është ftuar e do të vijë në Tiranë, me ose pa vëllain e politikave të tij ekstremiste, Dodikun, atëherë reagimi qytetar ka për të qenë i pashmangshëm”, citon mes të tjerash deklarata e shpërndarë për mediat e Vetëvendosjes me qendër në Shqipëri.

Vetëvendosja thotë se presidenti serb nuk është i mirëpritur në Tiranë, duke kujtuar se ka qenë Ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë.

Aleksandar Vuçiç, presidenti i Serbisë

“Që Vuçiçi mbetet i njëjti, këtë e tregon edhe deklarimi i tij i kohëve të fundit se Millosheviçi ka qenë “një lider i madh”. Ai dhe kabineti i tij qeverisës vazhdojnë të mohojnë sistematikisht masakrat e shumta që kanë ndodhur në Kosovë, 20 vjetori i të cilave po shënohet këtë vit për çdo javë në komunat e ndryshme të Kosovës, – vijon deklarata. – Vuçiçi dhe Serbia nuk kanë kërkuar kurrë falje për krimet e tyre, nuk e njohin dhe e luftojnë pavarësinë e Kosovës, nuk kanë dënuar asnjë kriminel për 20.000 përdhunimet e grave shqiptare gjatë luftës, nuk i kanë kthyer mbi 1600 të pagjetur, nuk kanë paguar kurrë dëmshpërblimet e luftës, nuk kanë kthyer fondin pensional dhe artefaktet e vjedhura kulturore, dhe vazdojnë të shtypin për çdo ditë të drejtat politike e kulturore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc që janë duke përjetuar edhe një gjendje të mjerueshme ekonomike”.

Milorad Dodik, kreu i Republika Srpska në Bosnjë Hercegovinë

Vetëvendosja kundërshton njëkohësisht edhe vizitën e Milorad Dodik, kreut të Republika Srpska në Bosnjë, duke e akuzuar se politikat e tij anti-shqiptare, kanë sjellë sjellë mungesën e nohjes së pavarësisë të Kosovës nga Bosnjë Hercegovina.

“Për më shumë, Milorad Dodik drejton “Republika Srpska” që është themeluar mbi gjenocidin e Serbisë ndaj boshnjakëve. Vendimi i Tribunalit të Hagës për ta dënuar për krime lufte dhe gjenocid udhëheqësin e “Republika Srpska”, Radovan Karaxhixhin, nuk vendosi drejtësi, pasi projekti i tij shoven mbijetoi dhe drejtohet sot nga Dodiku. Politikat e Dodikut janë arsyeja pse Bosnje Hercegovina është kthyer në një shtet që nuk funksionon normalisht, dhe që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Vuçiçi dhe Dodiku janë aleatët kryesorë të Putinit në Ballkan, dhe mënyra se si Rusia tenton të shtrijë ndikimin e saj ushtarak, ekonomik dhe politik në rajon”, – thekson VV.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë