Një operacion i policisë i koduar “Kompleksi” ka vënë në pranga një person, si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal.
Operacioni u krye ditën e sotme nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me RENEA, FNSH e forcat Shqiponja të Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Operacioni u zhvillua në zonën e “Komunës së Parisit”, Tiranë, ku në një banesë të marrë me qera u kap dhe u arrestua 33-vjeçari i shpallur në kërkim Barush Bregu, lindur në Shkodër.
I riu është i dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, në vitin 2016, si dhe me masë sigurie “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje, pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia, në banesën e tij u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Gjithashtu Bregu është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Po gjatë operacionit u arrestua ne flagrance edhe 21-vjeçari B. Ç., banues në Shkodër për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ndaj 33-vjeçarit të arrestuar materialet iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




