Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi platformën e saj qeverisëse në Konventën Kombëtare të kësaj të shtune. Monika Kryemadhi thotë se LSI nuk premton parajsën dhe as zgjidhje fantapolitike që bëhen për të rrëmbyer vota.
“Ashtu siç ngelën vetëm në spote publicitare premtimet e Rilindjes për 300 mijë vendet e punës dhe dëbuan nga vendi më shumë se 400 mijë të rinj dhe të reja, burra dhe gra. Të “shëndetësisë falas”, që në fakt është shumë më e shtrenjtë se më parë. Uljes së taksave për 97% të shqiptarëve, që në fakt u kthye në “mrekullinë” e vetëm 4-5 oligarkëve, klientë të oborrit të Surrelit”, deklaroi kryetarja e LSI-së.
Shtyllat e platformës së LSI-së janë zgjidhja e papunësisë, rikthimi i shpresës për të rinjtë, përkrahja e gruas dhe fermerët. Platforma premton heqjen e akcizës për fermerët, ndërkohë që në fjalën e saj, Monika Kryemadhi iu drejtua edhe të huajve.
Ajo tha se zgjedhja e tyre për stabilokraci para demokracisë në Shqipëri rrezikon që të trazojë të gjithë rajonin.
“Po u drejtohem më shumë të huajve se shqiptarëve, se dëmin e parë të këtij regjimi kriminal desh e pësuan vëllezërit tanë në Kosovë, sepse ky regjim ka në themel pazaret dhe jo transparencën dhe u desh një samit europian për të rrëzuar planin kriminal të ndarjes së Kosovës”, deklaroi Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së deklaroi se opozita është sot shumicë dhe premtoi se protestat dhe mosbindja civile do të vazhdojnë. “Në Shqipëri, do apo nuk do ai (Edi Rama) do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koha e tij dhe e etërve të tij ka mbaruar në Shqipëri”, shtoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



