Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka njoftuar sot se ka nisur paketën e re e ndryshimeve në Kodin Penal, që ka të bëjë me dhunën e ushtruar nga qytetarët kundrejt mësuesve, duke marrë si rast atë të dhunimit të një mësuesi nga një prind.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Shahini ka njoftuar se ndryshimet do të votohen në seancën e radhës plenare, me qëllim shmangien e dhunës.
“Para pak ditësh një prind ka goditur mësuesin e fëmijës së tij. Arsyet nuk janë të rëndësishme sepse nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhë!
Për rastet e dhunës si ky apo ato ndaj mjekëve, policëve dhe kujtdo punonjësi tjetër që mundohet t’i shërbejë qytetarëve me punën e tij, kemi nisur paketën e re të ndryshimeve në kodin penal, e cila do të votohet në seancën plenare të radhës.
Qëllimi është që dënimi të jetë i përshtatshëm dhe të shërbejë si parandalues i akteve pa sens të dhunës!”, shkruan ministrja Shahini në “Facebook”.
Kryeministri Rama dje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, propozoi ndryshime në Kodin Penal. Ndëshkim me burg Rama propozoi edhe për një sërë veprash të tjera, duke nisur nga vjedhja e pronësisë intelektuale, siguria ushqimore, dhuna ndaj mjekëve e deri tek dhuna në fushat e futbollit dhe dhuna ndaj kafshëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



