Lajme

Klos, i riu vetëvritet me plumb në kokë pas sherrit me njerëzit e gruas

Një 31-vjeçar ka vrarë veten sot, pak pasi është konfliktuar me njerëzit e bashkëshortes së tij. Mësohet se i riu, i identifikuar si Ari Hoxha, lindur dhe banues në fshatin Gurrë, Mat, ka vrarë veten pas një konflikti me familjarët e gruas.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos. 31 vjeçari ka vrarë veten 150 metra larg banesës së gruas së tij, ku u gjet i pajetë nga policia me një plumb në kokë.

Nuk dihet ende motivi, por dyshohet që Ari Hoxha të ketë pasur një konflikt me njerëzit e gruas, tek të cilët ka shkuar të sqarohet. Ndërkohë që me vete kishte marrë edhe një armë. Mësohet se 31-vjeçari shumë shpejt do të bëhej baba pasi gruaja e tij është shtatzënë.

Policia ka zbuluar përmes një deklarate për mediat, se Ari Hoxha ishte në kërkim për dhunë në familje. Policia e Klosit ka marrë informacion se 31-vjeçari me banim në fshatin Gurrë, po shkonte i armatosur në drejtim të banesës së bashkëshortes në fshatin Plan i Bardhë në Klos.

Shërbimet e Policisë së Klosit rrethuan në distancë banesën dhe në pritje të përforcimeve nga Drejtoria e Policisë së Dibrës, dëgjuan një të shtënë armë zjarri. Rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit Hoxha u gjet i vetëvrarë me një plumb në kokë.

Ajo që bie në sy, teksa hedh një vështrim nga profili në Facebook i të ndjerit, është pasioni i tij për armët. Ka foto me kallashnikov në mes të borës, por edhe një foto mjaft e rëndë. 31-vjeçari mban në dorë një pistoletë, të cilën ja drejton edhe vetes, duke e vënë grykën e armës në kokë.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Matit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë