Politike

Sherri për taksën, Rama replikon me Haradinajn: Asnjë presion!

Kryeminstri Rama ka hedhur poshtë pretendimet e homologut të Kosovës Ramush Haradinaj, se i kishte bërë presion në prani edhe të të huajve në Samitin e Berlinit, që të tërheqë taksën ndaj Serbisë. Kreu i qeverisë shqiptare akuzon Haradinajn se gënjeu për të dalë burrë i mirë.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit te tyre, si të ishin duke shitur mish në Pazar”, shkruan Rama në “Facebook”.

Rama shkruan se kjo është e pavërtetë dhe i kujton mikut të tij siç e cilëson ai, se udhëheqësit nuk komentojnë bisedat e tyre informate në publik.

Kreu i qeverisë shpjegon se i ka sugjeruar Haradinajt këshillat e Merkel dhe Macron dhe thekson se asnjë nuk e pengon të flasë për Kosovën.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10156645394091523

Postimi i plotë i Edi Ramës

Si rregull, udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera.

Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as i’a ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm njëherë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar më shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!

I kam sugjeruar Ramushit në dy momente të pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse kam menduar dhe mendoj që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.

E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurre (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua.

Shtoj këtu se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!).

Gjithsesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.

S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosove, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën.

Çfarë tha një ditë më parë Haradinaj?

Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shprehur hapur qejfmbetjen e tij me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Haradinaj, duke rrëfyer për zhvillimet në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Berlin, tha se Rama dhe Thaçi i bënë presion më tepër se shtetet e tjera, për të hequr taksën ndaj produkteve serbe.

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së fshtiri ish. Edhe presidenti, edhe Edi Rama më shumë bëjshin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insitonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Makronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, që e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Makron”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për T7 nga Berlini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë