Brenda koalicionit opozitës të udhëhequr nga PD-ja qartazi po duken dy blloqe të ndara, Grupimi i Qendrës së Djathtë dhe nga ana tjetër tre partitë LSI, PD dhe PDIU që po veprojnë ndaras nga lëvizjet e tyre politike, por që qëllimet në dukje i kanë të njëjta; shtyrjen e zgjedhjeve dhe ndryshimin e sistemit.
Grupimi i Qendrës së Djathtë në përbërje të të cilit janë PR, PAA, PDK , PBDNJ dhe LZHK po ndërmarrin një nismë për zgjidhjen e krizës politike, duke tentuar që të ulin në një tryezë dy kundërshtarët kryesorë politike, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha.
Për realizimin e këtij qëllimi po synohet që përfshihet presidenti Ilir Meta, ku liderët e këtij grupimi Mediu, Ndoka, Shehi, Duka dhe Dule zhvilluan një ditë më parë takim në Presidencë, duke i kërkuar numrit një të shtetit të marë rolin e ndërmjetësuesit.
Jashtë këtij grupimi ka mbetur Partia Drejtësisë për Integrim dhe Unitet e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Përfshirja e PBDNJ-së në këtë lëvizje duket se ka bllokuar shfaqjen Idrizit në ndonjë lëvizje ku është prezent dhe Dule.
Idrizi pati një takim sot me kryedemokratin Basha për të vendosur mbi mënyrën e bashkëpunimit si pjesë e koalicionit politik. Basha e e vizitoi Idrizin në selinë e PDIU-së.
Pas këtij takimi kreu i PDIU-së shpjegoi dhe arsyen se pse nuk është pjesë e grupimit të Qendrës së Djathtë.
“Ne kemi një marrëveshje me PD-në, por çdo forcë politike dhe çdo grupim ka të drejtën e vet të mblidhet dhe të bashkohet të japë kontributin e vet në zgjidhjen e krizës. Nuk kemi pasur nevojë, përveç aleancës me PD-në të potencojmë apo të kemi mundësira të tjera për t’u bërë pjesë e opozitës së bashkuar”, theksoi kreu i PDIU-së.
Sipas Idrizit, opozita e bashkuar do të dalë me platformë të përbashkët për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta dhe platformë për programin elektoral.
“Nisur nga momenti shumë i vështirë dhe delikat që po kalon demokracia shqiptare, patëm një diskutim me z.Basha, për të rakorduar të gjithë aksionin opozitar. Opozita e bashkuar do të paraqesë platformë të përbashkët për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Kjo nuk është thjeshtë një retorik, por kemi një platformë të përbashkët, ku ne do t’ju bëjmë të qartë të gjithë shqiptarëve, fenomenet negative që ndodhin në zgjedhje, duke filluar nga vjedhja e votave dhe përdorimi i pushtetit në zgjedhje. Sot nga 120 mijë, kemi 160 mijë të punësuar në shtet, pra kemi 40 mijë persona që janë shtuar dhe janë punësuar në strukturat shtetërore. Janë dhe 27 mijë persona të tjerë që kanë ikur nga puna në mënyrë të padrejtë dhe i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro. Nuk është krijuar një qeverisje shërbëtore, por kemi një pushtet që punon vazhdimisht, për të përdorur gjithë makinerinë shtetërore, tenderat, asistencën sociale, punësimet etj, në mënyrë që të fitojë zgjedhjet”, theksoi Idrizi.
Sipas tij, opozita e bashkuar po punon edhe për programin elektoral dhe mbi të gjitha për programin ekonomik, drejt një modeli të ri ekonomik, i cili duhet të bazohet tek prodhimi dhe punësimi, sepse Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe resurset.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




