Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati vijon të mbajë qëndrime kritike ndaj qeverisë Rama. Pak ditë pas samitit të Berlinit, ish-kryediplomati ka shfrytëzuar ditën e 15-vjetorit të zgjerimit të BE-së të cilësuar si “Big Bang”, me anëtarësimin e 10 vendeve të ish-Lindjes. Tashmë kur vëmendja e këtij zgjerimi të dytë është përqendruar te vendet e Ballkanit Përendimor, për Bushatin ky proces duket tejet i largët.
“Sot shënohet 15 vjetori i zgjerimit të “Big Bang” të #EU me 10 vende të #CEE. Një arritje historike pas Luftës së Ftohtë. 15 vjet më vonë, pranimi në BE i #WesternBalkans duket mjaft i largët, duke mos tejkaluar ende boshllëqet ekonomike dhe sociale. Punë e pa përfunduar!”, shkruan ai.
Pas largimit nga qeveria në dhjetor të vitit të shkuar dhe të zëvendësimit të tij me Gent Cakajn si ministër në detyrë, Bushati po shfaqet gjihnjë e më kritik ndaj qeverisë Rama. Kjo u vërejt gjatë fjalimit që mbajti në Parlament më 3 prill, ku goditi lidershipin e PS-së për mosmarrjen e ndonjë iniciative të zgjidhjes së krizës politike. “Ne jemi sot për sot në udhëkryq të madh. Lexova “Financial Times”, një prej gazetave më prestigjioze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë me kryeministrin grek, për arritjen e madhe historike, pas tre dekadash. Dhe unë sot pyes, si ka mundësi z.Ruçi, si kryetar i Kuvendit si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z.Ulqini, si ka mundësi z.Majko e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë Parlament; përse kur grekët dhe maqedonasit e gjetkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi që të gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin? A jemi të gjithë një komb? Përse e kemi kaq të vështirë të turpërojmë veten tonë lart e poshtë”, do të deklaronte Bushati.
Edhe në takimin e fundit të zhvilluar në Shkodër me kryeministrin Rama, Bushati si drejtues i qarkut politik shprehu rezerva për mungesën e vëmendjes së qeverisë socialiste ndaj Shkodrës.
“Shkodra që duam është më shumë se bashkia që duam. Sepse është gjëja më e thjeshtë që të vizatojmë atë që ka bërë bashkia Shkodër sot për sot. Është shumë më e gjerë, ka nevojë për mbështetje, vëmendje nga qeveria, duhet të respektohet tradita dhe Shkodra të ecë me hapin e shokëve të saj”, do të deklaronte Bushati në takimin e 26 prillit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




