Presidenti Ilir Meta ndërsa ka uruar 1 Majin, ka shprehur edhe shqetësimin me të gjithë punonjësit publikë dhe privatë, për kushte më të mira dhe për respektim të legjislacionit.
“Duke u uruar 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, ndaj sot shqetësimin me të gjithë punëtorët, të sektorit publik dhe të atij privat, për kushte më të mira e më dinjitoze pune dhe për respektim të legjislacionit, që garanton plotësisht të drejtat e tyre”, shkruan Meta.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Meta vlerëson energjinë dhe mundin e punëtorëve, por shprehet se fatkeqësisht Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie.
“Me punën, mundin dhe energjinë e tyre, punëtorët kanë një kontribut thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e vendit. Por fatkeqësisht, Shqipëria ka ende një nivel të papranueshëm papunësie dhe vazhdon të vuajë largimin në emigrim të shumë punëtorëve, veçanërisht atyre të kualifikuar”, shprehet Meta.
Kreu i Shtetit gjithashtu shkruan se është detyra e shtetit të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë punëtorët e kualifikuar të ndërtojnë të ardhmen dhe të kontribuojnë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë.
“Është detyra e shtetit në radhë të parë të garantojë, jo vetëm hapjen e vendeve të reja, por edhe kushte më të mira pune, në mënyrë që kjo kategori vitale të ndërtojë të ardhmen dhe të kontribuojë këtu për zhvillimin ekonomik të familjes, shoqërisë dhe Shqipërisë”, vijo më tej Meta.
Meta nuk ka harruar në mesazhin e tij të falënderojë edhe emigrantët shqiptarë.
“Një falënderim të veçantë kam sot dhe për të gjithë emigrantët shqiptarë, që me punë të ndershme kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme kundër varfërisë dhe zhvillimit të vendit në vitet e vështira të tranzicionit”, përfundon kreu i shtetit.
Ndërkohë, më herët, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me rastin e 1 Majit ka ndarë një mesazh për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Ruçi shprehet se sot ndihet sindikalist ndërsa shton se për të është e rëndësishme të ulet nga tribuna politika dhe të ngjitet puna.
“Sot ndjehem sindikalist, punëtor, mësues, infermier.
Të ulim nga tribunat politikën dhe të ngjisim punën. Rritja ekonomike të përkthehet në mirëqenie për të gjithë.
Ekonomia të orientohet drejt prodhimit. Rrugët e Shqipërisë duhen ndërtuar, jo bllokuar”, shprehet kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



