Gjatë një takimi në Farkë, me anëtarët e rinj të PD, kreu i opozitës Lulzim Basha këmbënguli se largimi i kryeministrit Rama është kusht i panegociueshëm.
Kryedemokrati komentoi ato që ndodhën një ditë më parë në Samitin e Berlinit, kur tha se me këto standarde nuk mund të shkohet në Europë. Dhe për këtë, sipas tij, përgjegjësi kryesor është Edi Rama dhe qeveria e tij.
“Me Ramën nuk ka integrim në Europë. Nuk mund të ketë hapje negociatash kur hajdutët promovohen. Me këto standarde Shqipëria nuk do ishte as në Këshillin e Europës. Këto janë standarde afrikane”, u shpreh Basha.
Sa i përket aksionit opozitar, Basha u shpreh se koha u ka dhënë të drejtë dhe se protestat do të përshkallëzohen.
“Ju kam parë dhe ju kam ndier në krahun tim, jo vetëm në këto beteja të aksionit qytetar, por edhe më parë. Dhe ja ku jemi sot, në një ditë kur ka një mesazh të qartë se sa e drejtë është rruga që kemi zgjedhur, për t’i dhënë vendit demokraci të vërtetë, me deputetë të vërtetë që iu përfaqësojnë ju, dhe jo kukulla”, – vijoi ai.
Basha theksoi se djegia e mandateve parlamentare nga opozita ka qenë vendimi më i drejtë dhe i pastër, kundër një qeverie të mbërthyer nga krimi dhe korrupsioni siç u shpreh ai.
“Shqipëria, në vend që të ecë para, ka ecur prapa. Prandaj nevojitet një qeveri kujdestare, tranzitore, për të garantuar votën e qytetarëve, një Parlament për qytetarët, që do të finalizohet me largimin e Ramës, gjë që është një kusht i panegociueshëm për ne, – deklaroi ai. – Nuk do ketë asnjë ndryshim nga qëndrimi ynë. Qeveria tranzitore është e vetmja rrugë drejt zgjidhjes së krizës politike. Në cilin vend të botës, Parlamenti kalon ligje për t’ia dhënë dy oligarkëve koncesionet dhe zhyt popullin në varfëri…Pas koncesioneve është vetë Edi Rama dhe ministrat e tij. Me Ramën nuk ka integrim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




