Në tremujorin e parë të këtij viti, ngjarjet kriminale me pasojë vdekjen janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga 1 janari, deri më 31 mars janë regjistruar 22 viktima, për motive që nisin nga ato më banalet, e deri tek hakmarrja, apo përplasjet mes bandave kriminale.
Periudha përkon me krizën e përshkallëzuar politike në vend. Por, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nuk sheh ndonjë lidhje mes këtyre të dyjave.
“E para, situata e sigurisë në vend është në parametrat e saj më të mirë në histori, në qoftë se u referohemi shifrave dhe treguesve kryesorë që e sintetizojnë gjendjen e sigurisë publike. Në të njëjtën kohë ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar edhe për perceptimin publik, i cili nuk është në nivelin maksimal dhe ne duhet ta adresojmë dhe do ta adresojmë edhe perceptimin publik, ashtu sikundër do të marrim masa të forta për të vijuar dhe thelluar luftën ndaj atyre grupeve kriminale, të cilat ende nuk janë vënë përpara drejtësisë, për arsye të punës që nevojitet për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale”, deklaronte ai pak javë më parë nga Shkodra.

Nuk mund të flitet me bindje se kjo krizë ka rritur kriminalitetin, por e sigurtë është që ajo nuk ndihmon në përmirësimin e sigurisë dhe rendit publik për qytetarët. Statistikat e ngjarjeve të rënda në Shqipëri të ndodhura përgjatë këtyre muajve të parë të këtij viti janë një konfirmim i freskët për këtë.
Rastësi apo jo, një pjesë e këtyre ngjarjeve përkojnë me ditët kur opozita ka protestuar para Kryeministrisë ose Parlamentit. Rasti i parë është ai i vrasjes së Aurest Rexhos dhe Arjan Hasanit, të cilët u ekzekutuan më 17 shkurt në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Shënjestra e atentatit ishte shtetasi Armando Sulejmani, 42 vjeç. Ky i fundit njihet edhe për të kaluarën e tij me precedentë penalë. Ngjarja ndodhte një ditë pas protestës së parë të opozitës.
Një tjetër vrasje e dyfishtë ndodhi më 30 mars, dy ditë nga protesta e radhës e opozitës. Këtë herë ngjarja e rëndë ndodhte në Shkodër dhe viktimat ishin dy vëllezërit Astrit dhe Brahim Bilali. Një javë para ekzekutimit të dy vëllezërve, në Elbasan ishte vrarë po në një ditë proteste të opozitës, avokati Ravik Gurra.

Në të treja rastet mënyrat e ekzekutimit kanë qenë tipike mafioze dhe protagonistët e tyre njerëz të njohur të botës së krimit dhe këtyre u shtohet edhe grabitja e 10 milionë eurove më 9 prill brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Admir Murataj. Ngjarja ndodhte 2 ditë para protestës së radhës të opozitës.
Mes këtyre rasteve, ka me dhjetëra krime të tjera, që nga vrasjet brenda familjes për motive të dobta, e deri tek vrasjet pas sherreve të momentit, të cilave u shtohen edhe të paktën tre raste tentative vrasjeje. Kësaj panorame gri u bashkangjiten krimet e tjera më të rëndomta, siç janë edhe rastet e goditjes dhe kërcënimit për shkak të detyrës, ku në një periudhë të shkurtër janë raportuar disa raste të tilla nga mjekët dhe infermierët në spitalet e vendit.

Shifrat janë alarmante ku vihen në krahasim me tremujorin e parë të 2018-s. Nga 1 janari deri më 31 mars 2018, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT numri i vrasjeve është 12. Pra ka një rritje pothuajse dyfish dhe me këto ritme, 2019 mund të hyjë tek vitet rekord duke tejkaluar edhe vitin 2016, ku janë vrarë 71 persona brenda 12 muajve.

Pra, shifrat sugjerojnë se kriza politike “po ndihmon” krimin që të lulëzojë. Nga mazhoranca gishtin e fajësisë e drejtojnë nga opozita, duke e akuzuar se përmes protestave të saj të dhunshme po nxit rritjen e kriminalitetit, ndërsa nga opozita fajin e shohin të mazhoranca. Sipas opozitës, Policia e Shtetit është vetë e lidhur me krimin, ndaj s’ka sesi ta luftojë atë.
Ngjarjet më të rënda të krimit në familje
Krimi në familje konsiderohet si krimi më i vështirë për t’u parandaluar nga ana e Policisë së Shtetit dhe më shumë se politika, ekspertët bien dakort që këtë formë krimi e nxit gjendja sociale dhe ekonomike e shoqërisë. Në Shqipëri rastet e tragjedive brenda mureve të shtëpisë nuk kanë munguar as në të shkuarën. Por, edhe në kategori të krimit, për tremujorin e parë ka një rritje në krahasim me 2018.
Ngjarja e parë tragjike u regjistrua më 2 janar në qytetin e Ballshit, ku 34-vjeçari Gazmed Musta vrau me thikë bashkëshoretn e tij 31-vjeçare, Gentiana Caushaj, si dhe kunatën 18-vjeçare, Merisa Caushaj. Autori ishte në gjendje të dehur dhe ngjarja ndodhi për motive të dobëta.

Pak ditë më vonë, krimi në familje do të rikthehej dhe këtë herë me një bilanc më të rënduar. Më 14 janar, 52-vjeçari Majlind Lila qëllon disa herë me pistoletë mbi vjehrrin dhe vjehrrën e tij, Bujar dhe Xhevahire Mataj, 63 dhe 52 vjeç. Më pas ai vetëvritet duke u hedhur nga kati i dytë i ndërtesës në rrugën “Kristaq Mone” në Tiranë mbi kangjellat rrethuese të godinës. Motivet mbeteshin edhe këtë herë “të dobëta”. Autori bashkëjetonte prej vitesh me vajzën e çiftit të ndjerë, Nevilën dhe së bashku kanë edhe një vajzë. Nevila së bashku me vajzën ndodheshin në Suedi dhe 52-vjeçari ka kërkuar prej prindërve të saj që ajo të kthehej.
Në të njëjtat ditë, në fshatin Bastar i Mesëm, policia arrestonte tre persona për vrasjen e Arben Gjecit, baba i 3 fëmijëve. Ai gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të marra nga sendet e forta. Trupi i tij u gjet i pajetë në anë të rrugës në përpjekje për ta maskuar si aksident. Por, policia arrestoi një 20-vjeçare, vëllain dhe bashkëshortin e saj. Si shkak i krimit dyshohej se ishte bërë një lidhje jashtëmartesore që viktima kishte me 20-vjeçaren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




