Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Ragip Hajdinin, i arrestuari i gjashtë për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit.
Seanca për Hajdinin u zhvillua me dyer të mbyllura. Në seancën e sotme për masën e sigurisë, Ragip Hajdini, ka mohuar çdo lidhje me grabitjen. Mësohet se ai ka deklaruar se ka njohje me familjen e Admir Murataj dhe madje se kishte qenë edhe në varrim.
Hajdini ka thënë se nuk është “Daja” që kërkon policia, pavarësisht se thërritet me të njëjtën nofkë dhe se ka pamje filmike që tregojnë se ku ka qenë ditën e grabitjes.
“Kam njohje me familjen Murataj. Isha në varrimin e Muratajt, kam njohje me vëllain e tij. Por nuk jam unë ‘daja’ që kërkoni. Kam dëgjuar në media që flitej për një ‘daja’, por po të kisha lidhje nuk rrija këtu. Kam pamjet filmike që nuk isha aty në ditën e grabitjes. Kam qenë duke drekuar me miq të mi”, është shprehur Hajdini.
Po ashtu ai ka kërkuar edhe ballafaqim me dëshmitarin e drejtësisë, Alkond Bengasin për të verifikuar se nuk është ai personi i dyshuar. “Dua të ballafaqohem me Bengasin që më ka identifikuar”, ka thënë Hajdini.
Hajdini dyshohet se ka siguruar fugonin që u modifikua në Elbasan, duke i vendosur mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.
Hajdini, i njohur me nofkën “Daja”, u arrestua më 26 prill në zonën e Shkëmbit të Kavajës, si një nga të dyshuarit për grabitjen e 9 Prillit në Rinas.
Arrestimi i tij erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit Alkond Bengasi, që tha se “daja” nga Kosova ishte një person tullac, të cilin e kishte takuar disa herë me Admir Muratajn.
Ragip Hajdini rezulton me precedentë të ngjashëm penalë edhe në Kosovë, aty ku ka qenë i dyshuar për grabitjen e 25 kg ar nga Dhoma e Dëshmive në Policinë e Pejës, bashkë me 5 persona të tjerë.
Për grabitjen e miliona eurove në Rinas deri më tani janë arrestuar Elton Pikli, Oltjon Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



