Takimi i presidentit Ilir Meta me 5 kryetarët e partive aleate të PD-së, të Grupit të Qendrës së Djathtë ka zgjatur 1 orë në zyrën e kreut të Shtetit. Aleatët e PD-së, Fatmir Mediu i PR-së, Agron Duka i PAA-së, Dashamir Shehi i LZHK-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Nard Ndoka i PDK-së i kanë paraqitur presidentit platformën me 12 pika që ata synojnë për zgjidhjen e krizës politike, ku kryesoja është shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale dhe krijimi i një qeveri tranzitore.
Pas takimit një orësh, kryetari i PR-së, Mediu ka deklaroi se presidenti në këtë takim ka ndarë të njëjtin shqetësim mbi situatën aktuale duke e cilësuar si problematike.
“Në emër të të gjithë kolegëve dua të falënderoj presidentin për një diskutim të hapur në raport me kërkesën tonë. Ndajmë të njëjtin shqetësim që situata është problematike, dhe duhet të pengojmë që mos të shkojmë në një konflikt. Duhet të lexojmë qartë edhe mesazhet që kanë ardhur nga Berlini në takimin e djeshëm. Presidenti i Republikës ka bërë të gjithë atë çfarë mundet ai në autoritetin e tij që reforma në drejtësi të jetë në përputhje me garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe interesave për të pasur një pushtet gjyqësor që ti shërbejë qytetarëve shqiptarë për të mos arritur në këtë ditë që të mos kemi Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë apo manipulim të institucioneve të tjera. Presidenti i Republikës po ashtu ka ndërmarrë iniciativa edhe me mazhorancën, edhe me opozitën dhe do të vazhdojë në këtë rrugë në mënyrë që zgjedhjet të jenë sa më përfshirëse, të jenë zgjedhje pluraliste dhe jo të devijojnë nga akset kushtetuese siç kemi shqetësimin dhe ne”, tha Mediu pas takimit.

Më tej ai theksoi se në këtë takim Meta vlerësoi kërkesën e 5 partive dhe se janë ndarë në këtë takim me idenë se kreu i shtetit do të zhvillojë kontakte në lidhje me situatën e krijuar.
“Nuk besoj që ne sot erdhëm për ti thënë Presidentit mblidh një tryezë dhe ai mbledh një tryezë. Ka nevojë për diskutim me të gjitha palët rreth kësaj çështje. Mendoj se Presidenti jo vetëm është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë për atë çka të bëjë situatën në vend apo dhe shqetësimin që ne kemi ngritur, por edhe ka angazhimin në mënyrë që palët të gjejnë përgjegjshmërinë e vet për t’iu përgjigjur me korrektesë dhe seriozitet kësaj situate për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit”, tha Mediu.
Sipas tij, takimi i sotëm nuk ishte që të detyronte presidentit që të ndërmerrte një tryezë politike më patjetër, por që të kërkonte ta vinte në lëvizje për një situatë të tillë.
Reagimi i Metës
Pas deklaratës së Mediut, ka ardhur edhe qëndrimi i presidentit në lidhje me këtë takim., i cili ka qenë në të njëjtën gjatësi vale me liderët e partive të opozitës. Presidenti Meta, sipas njoftimit zyrtar, shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi. Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.
Presidenti Meta në këtë takim nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës.
“Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mos regjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Meta thekson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.
Më tej theksohet se kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin europian.
Sipas burimeve të Gazeta SI nga takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet se presidenti Meta ka shprehur gatishmërinë për mbledhjen e një tryeze, por më parë ai kërkon që kjo përballje të jetë produktive mes partive politike. Për këtë Meta pritet të nisë kontakte dhe me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Sipas burimeve kushti i ndonjë tryeze politike në Presidencë do të jetë vetëm nëse palët PS dhe PD mund të përafrohen në arritjen një marrëveshje politike për krizën aktuale politike, pasi në të kundërt kjo do të ishte vetëm show politik.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





