Lajme

Rama-Merkel kokë më kokë në Berlin

Një orë pas nisjes zyrtare të samitit të Berlinit, kancelarja gjermane Angela Merkel ka pritur në një takim kokë më kokë me kryeministrin, Edi Rama. I pranishëm në këtë takim është edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Mësohet se në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e integrimit të Shqipërisë ne Bashkimin Europian. Gjithashtu Kryeministri Rama foli edhe për pritshmëritë e qeverise shqiptare për raportin e Komisionit Europian që pritet të publikohet ne fund te muajit maj. Kryeministri Rama e falenderoi Kancelaren për vëmendjen e vazhdueshme dhe mbështetjen që Gjermania ka dhënë për të shtyrë më te rrugën e Shqipërise drejt Bashkimit Europian.

Ne takim u diskutua gjithashtu edhe për rajonin dhe domosdoshmërinë e vazhdimit te dialogut mes Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të plotë të marrëdhenieve mes dy vendeve.

Tema qendrore e takimit Rama-Merkel ishte çështja e negociatave, pavarësisht këmbëngules së presidentit francez Emmanuel Macron për të mos hapur këtë cështje përpara zgjedhjeve europiane.

Përpara, kryeministrit Rama, kancelarja Merkel takoi edhe kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Sipas axhendës, kancelarja do të mbajë një diskutim të shkurtër dypalësh me Presidentin francez Macron, pasuar nga deklaratat për shtyp.

Përpara takimit me Merkel, Rama ka takuar edhe Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federrica Mohgerinin.

Në samit, kryeministri Edi Rama merr pjesë së bashku me ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ministren e Marrëdhënieve me Parlamentit, Elisa Spiropali.

Nga udhëheqësit e rajonit janë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë janë Presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bërnabiç.

Ky është takimi i pestë në kuadër të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”, nisur në vitin 2014 me nismë të kancelares gjermane, si një shtysë për paqen dhe zhvillimin e rajonit. Tematikat thelbësore janë dy: së pari progresi në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE dhe së dyti dialogu Kosovë-Serbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë