Në kuadër të goditjes së rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në ambientet e lokaleve dhe afër shkollave, Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e katër personave si dhe ka proceduar në gjendje të lirë edhe dhjetë shtetas të tjerë.
Policia bën me dije se nga operacioni janë sekuestruar kokainë, kanabis, shiringa me lëndë narkotike heroinë, peshore elektronike e sende të tjera, të cilat shërbenin për përpunimin dhe përgatitjen për shitje në doza të vogla të drogave të forta.
Si rezultat i këtij operacioni janë vënë në pranga shtetasit: Y. P., 19 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë, K. P., 36 vjeç, banues në Fushë Mëzez, Tiranë. Janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Shtetasve Y. P. dhe K. P., iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11,1 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, 1 peshore elektronike dhe një pjatë me mbetje të lëndës narkotike.
Gjithashtu është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi H. A., 24 vjeç, banues në Tiranë, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy shtetas të tjerë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ata qarkullonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik që është ushtruar mbi shtetasin H. A., Policia gjeti një sasi prej 3,6 gr. lëndë narkotike të dyshuar si “Kokainë”.
Po në kuadër të kontrolleve është kapur në flagrancë shtetasi D. S., 19 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe është proceduar në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta shtetas po udhëtonin me automjet dhe pasi janë ndaluar, nga kontrolli fizik i ushtruar mbi shtetasin D. S., policia ka gjetur një sasi lënde narkotike të dyshuar si “Cannabis Sativa” të ndarë në doza të vogla.
Në vijim të kontrolleve janë kapur dhe proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, 40 e 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik u janë gjetur 2 shiringa me lëndë narkotike të dyshuar “Heroinë”, disa substanca te tjera të cilat janë dërguar për ekspertim te mëtejshëm.
Po në kuadër të kontrolleve janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy 19- vjeçarë dhe një 25-vjeçar, pasi janë gjetur me doza lënde narkotike të dyshuar si “Canabis sativa”.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



