Politike

Tabaku: Qeveria S’ndalet, tani nis tjetërsimin e pronave për oligarkët

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku akuzon qeverinë “Rama” për nismën më të fundit të paraqitur në Kuvend që parashikon tjetërsimin e tokave shtetërore për bizneset, duke e cilësuar si antikushtetuese.
“Pasi parlamenti Europian e vendos me shpatulla pas murit për çështjen e pronave, qeveria dhe kryeministri Rama vazhdojnë të dërgojnë në Kuvend ndryshime ligjore antikushtetuese. I radhës është ndryshimi që shton në ligjin nr 4/2015 një formë antikushtetuese të kalimit të pronësisë, TJETËRSIMIN. Ky term nuk ndodhet në Kushtetutën e vendit ku përcaktohet shumë mirë se si fitohet një pronë private; pra përmes dhurimit, trashëgimisë apo dhe blerjes. Kjo shpikje ekstra kushtetuese ka vetëm një synim, ligjërimin e dhurimit të pronës nga e përbashkëta tek oligarku. Një shpikje në kundërshti edhe me rregullat e BE dhe marrëveshjes së MSA. Që nuk do na çojë më pranë Europës”, reagon Tabaku.
Demokratja me anë të një postimi në Facebook thekson se ky është ndryshimi i pestë në radhë me një paketë ligjore antikushtetuese që nuk duket se është shkruar më zyrat e shtetit, por të biznesit që do përfitojë.
“Së bashku me Korporatën e Investimeve ky është një ligj kuadër që bën të mundur të anashkalojnë Parlamentin e Këshillat Bashkiakë sa herë kanë nevojë të zaptojnë një pronë. Ky ndryshim e ngre në një nivel tjetër korrupsionin e ngritur në sistem. Arroganca ka arritur në atë nivel që nuk kanë më frikë nga asgjë, korrupsioni me ligje bëhet ditën për diell e votohet nga Parlamenti ilegjitim. Ky ligj do të anulohet bashkë me gjithë paketën antikushtetuese kundër pronës!”, shkruan Tabaku.
Disa ditë më parë demokratja nga selia e PD-së denoncoi dhe nismën për Krijimin e Korporatës së Investimeve, duke theksuar se kjo tjetërson pronat shtetërore. “Duke tjetërsuar një parim kyç të buxhetit të shtetit: mospërdorimin e fondeve buxhetore për shpenzime që nuk janë brenda fushës së shpenzimeve publike. Në pak fjalë, buxheti i shtetit bëhet arka në të cilën kryeministri dhe oligarkët përmes kësaj korporate mund të fusin dorën sa herë që duan pa pyetur askënd dhe pa i dhënë llogari askujt. Gjatë kësaj kohe Partia Demokratike ka informuar partnerët ndërkombëtarë për këtë paketë ligjesh grabitqare që nuk janë në të mirë të interesit publik. Janë të paktën 3 ligje dhe disa VKM që janë hartuar vetëm për ti ardhur në ndihmë një grupi njerëzish pranë kryeministrit duke krijuar një skemë piramidale me pronat publike që nuk e ka përjetuar asnjë vend ish komunist më parë”, do të deklaronte Tabaku.
Ndërsa PD-ja ka bërë të ditur se këto dy projektligje do t’i shfuqizojë menjëherë sapo të vijë në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë