Shtohet emrat e kandidatëve të PD-së që duan të marrin mandatin e deputetit në Kuvend. Bëhet fjalë pikërisht për Indrit Hoxhën, kandidatin e PD-së për qarkun e Tiranës, i renditur i 35-ti. Prej ditësh emri i tij përflitej si personi që kishte pranuar të merrte mandatin duke plotësuar formularin e Dekriminalizimit.
Pikërisht ky formular është depozituar dhe gjendet i botuar online në faqen zyrtare të KQZ-së, çka nënkupton se Hoxha do të jetë deputeti më i ri Parlamentit.
Indrit Hoxha ka mbajtur postin e Sekretarit të Burimeve Njerëzore në Forumin Rinor të PD-së. Nëpërmjet një postimi në llogarinë personale në rrjetet sociale, Hoxha bënte të ditur se i kishte ardhur kërkesa e KQZ-së për plotësimin e formularit dhe se ende nuk e kishte marrë vendimin. “Për të gjithë historikun tim personal e familjar, në shenjë respekti për kontributin tim politik për të djathtën shqiptare dhe Partine Demokratike, do kërkoja nga gjithsecili prej jush vetëm pak durim. Durim në shenje respekti për vendimin tim personal në lidhje me kërkesën e ardhur nga KQZ për të pranuar mandatin e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Do të kërkoja gjithashtu besimin dhe mbështetjen tuaj të palëkundur, deri në momentin final kur vendimmarrja ime të jetë publike për të gjithë shqiptarët. Shqipëria si e gjithë Europa mbetet ëndrra ime dhe e çdo bashkëmoshatari tim”, shkruante Hoxha.

Në formularin e dorëzuar në KQZ thekson se ka punuar si nëpunës i administratës publike, Bashkia e Tiranës. Gjithashtu ai shkruan se është shoqëruar dy herë në Komisariatet e Policisë së Tiranës. Ndërkohë që vetëm njëherë është arrestuar me akuzën e “Shkatërrimit të pronës” dhe është dënuar me gjobë në shumën e 200 mijë lekëve, si dhe është ndaluar disa herë në komisariatet e policisë sa herë që ka pasur protesta të opozitës.
Me dhënien e mandateve të reja, Kuvendi pritet të shkojë në 110 deputetë gjithsej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




