Lajme

Mashtrimi me fruta-perimet, Arta Marku kërkon që të hetohet

Arta Marku i ka kërkuar Prokurorisë së Beratit që të shqyrtojë mundësinë e nisjes së hetimeve që përbëjnë vepër penale në lidhje me denoncimet e fundit të shfaqura në media mbi sigurinë ushqimore dhe përdorimit të kimikateve të rrezikshme në rritjen dhe pjekjen artificiale të frutave dhe perimeve.

“Duke marrë shkas nga denoncimet e fundit të medias së shkruar dhe asaj vizive mbi sigurinë ushqimore, ditën e djeshme, Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar prokurorisë së Beratit si prokurori kompetente me një kërkesë të menjëhershme për vlerësimin ligjor të të gjitha rrethanave dhe fakteve të dyshuara që mund të përbëjnë vepër penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk është në kompetencën e saj për të nisur hetimet kryesisht.

Tek denoncimet e shfaqura në disa emisione në media, fermerët në Qarkun e Beratit rrëfejnë të filmuar nga kamerat e fshehta sesi e pjekin domaten dhe shalqinin brenda pak orëve me stimulantë artificialë. Stimulantët përdoren edhe për rritjen artificiale, ndërsa vetë fermerët thonë se ushqimet që prodhojnë nuk i konsumojnë për vete.

Denoncimet përfshinin edhe mungesën e strukturave dhe laboratorëve për analizimin e produkteve të rritura me kimikate të rrezikshme për jetën, që shkaktojnë nga alergji të përhershme e deri tek kanceri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë