Dalja e tij nga skena politike në mënyrë të papritur dhe pa shumë zhurmë, krijoi jo pak pështjellim, megjithatë Ridvan Bode arriti që me heshtjen e tij të rikthehej sërish, ndonëse jo aty ku ndodhej më parë.
Ish-ministri I Financave, ka rrëfyer si e mori propozimin nga kryeministri Edi Rama për të qenë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
I ftuar në emisionin “A2 Business Week” Bode u shpreh se nuk ka pasur asnjë kontakt me Ramën më parë, ndërsa thotë se propozimi ishte me mesazh dhe me anë të një individi.
” Kam diskutuar me njerëzit që kam bashkëpunuar gjatë dhe kam marrë këtë vendim, duke konsideruar një pozicion që nuk ka të bëjë fare me politikën, aq më pak me qeverinë, një pozicion në të cilin mund të jap kontributin tim dhe eksperiencën time të gjatë në fushën e financave publike dhe në fushën e ekonomisë së vendit. Po ashtu, me interes për të kontribuuar në vijimësi edhe me dijet e mia në një institucion shumë serioz dhe shumë kredibël të vendit”, – tha Bode.
Bode theksoi se ky ishte edhe një vendim për të deklaruar shkëputjen përfundimtare nga politika. “Ishte një zgjidhje e imja për të deklaruar edhe publikisht shkëputjen nga politika, e cila është përfundimtare. Derisa unë pranova të marr pjesë në një institucion të tillë që ka një mandat të gjatë do të thotë se e konsideroj një gjë të mbyllur”, – tha Bode.
Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, dikur një nga njerëzit më të fuqishëm në Partinë Demokratike (Sekretar i Përgjithshëm i saj: 1997-2013), u mënjanua plotësisht nga lidershipi aktual i PD-së, Lulzim Basha.
Njeriu i dytë më I rëndësishëm pas liderit historik të së djathtës, Sali Berisha, ishte tepër kritik ndaj mënyrës sesi u votua Basha për një mandat të dytë në krye të PD-së, duke i cilësuar zgjedhjet e 22 korrikut një farsë.
Vendimi i Bodes për të pranuar propozimin e kryeministrit Rama për të qenë anëtar në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, shkaktoi shumë polemika nga deputetë dhe funksionarë të opozitës.
Ndërsa miku dhe kolegu i tij, Astrit Patozi i doli në mbrojtje me një postim: “Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë akoma që, edhe pasi të vrasin me gjakftohtësi, të të kërkojnë llogari se përse nuk u kërkon leje ekzekutorëve se si ta organizosh funeralin…”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




