Lajme

Grabitja e Rinasit, lihen në burg 3 të arrestuarit e tjerë

Gjykata për Krime të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 të arrestuarit e tjerë në lidhje me grabitjen në Rinas.
Janë lënë në burg shtetasit Renaldo Sula, Saimir Çela dhe Oltian Veseli. Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Mësohet se të arrestuarit kanë mohuar se kanë lidhje me grabitjen.
Më herët u mësuan detaje mbi rolin e një femre që besohet se i ka ndihmuar autorët. Burime nga grupi i hetimit thanë se e dyshuara është E. Bici, 31 vjeçe. Ka dyshime se ajo ka djegur një nga automjetet që të krijonte shpërqëndrim të policisë, që u drejtua në krahun e kundërt të rrugës nga po iknin grabitësit.
Një ditë më parë, u dha masa “arrest me burg” për Alkond Bengasin, i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin e supergrabitjes.
Ai ka treguar se ka qenë punëtor në servisin e Elbasanit ku u modifikua fugoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

32-vjeçari ka pohuar para hetuesve se kishte 6 muaj që punonte aty duke dhënë edhe detaje të rëndësishme për personat që kanë kërkuar këtë modifikim të mjetit të përdorur në grabitje.
Atij i është afruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë në këmbim të informacioneve të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes. I shoqëruar që prej ditës së shtunë, por që fleta e arrestit iu pre të dielën, 32-vjeçari, një ish i dënuar për çështje narkotikësh dhe përdorim droge, ka filluar të flasë. Ai ka treguar se në pistë mes 5 grabitësve ishte edhe Klement Çala.

Një ditë më parë, Policia e Shtetit deklaroi se është arrestuar në Bullgari edhe i dyshuari i pestë për grabitjen e Rinasit në 9 prill. Ai është Elton Pikli, banues në Krujë, i cili ishte larguar jashtë vendit pak pas ngjarjes.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim disa persona mes të cilëve ish-punonjësi i policisë Mariglen Hoxha, që dyshohet se ka informuar autorët për oraret e lëvizjes së parave. Ka edhe persona të tjerë të dyshuar, pasi Bengasi ka dhënë emrat e 9 prej tyre.
Mbi të ndaluarit rëndojnë një sërë akuzash, si vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë