Opozita e bashkuar nesër do të zhvillojë protestën e radhës, po ndryshe nga herët e shkuara, do të ketë një tjetër destinacion dhe strategji. Protesta nuk do të zhvillohet para Parlamentit, por në akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin. Opozita ka paralajmëruar që bllokimi i rrugëve do bëhet rreth një orë duke nisur që nga ora 18.00. Ndërsa nesër paradite kur do të zhvillohet edhe seanca plenare e radhës, do të ketë një protestë simbolike nga të rinjtë e FRPD-së.
Ja akset që do të bllokohen nesër:
Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën.
Në Durrës do të bllokohet autostrada Plepa-Kavajë, përballë Shtëpisë së Pushimit të Ushtrisë.
Zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit.
Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot.
Një tjetër pikë do të jetë ajo te sheshi “Shqiponja” për të bllokuar hyrjen në Tiranë.
Më 11 maj, opozita do të zhvillojë protestën e katërt kombëtare para Kryeministrisë. Kauza vijon të jetë e njëjtë, largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa nuk u regjistruan në KQZ.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



