Lajme

Transporti i udhëtarëve, Task Forca ndëshkon 160 subjekte

Intensifikohen kontrollet në linjat e transportit të udhëtarëve. Task Forca e Transportit Rrugor ndëshkon 160 subjekte në kundërshtim me ligjin.
Aksioni në terren i Task Forcës në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, sipas denoncimeve nga vetë grupet e interesit, ka pasur në fokus konstatimin e pikave problematike, si dhe të krijojë një panoramë sa më të qartë për situatën në vend.
Që prej fillimit të muajit prill, Task Forca e Transportit Rrugor ka ndërmarrë disa operacione blic, të cilat janë shtrirë në akset kryesore kombëtare dhe në terminalet me fluksin më të lartë të trafikut. Subjekt i këtyre kontrolleve kanë qenë operatorët e linjave të transportit të udhëtarëve, si rrethqytetas, ndërqytetas dhe ndërkombëtar.
Deri tani janë konstatuar me shkelje të rënda rreth 160 subjekt , kryesisht, “ndryshim destinacioni”, pa “akt vlerësimi komoditeti” dhe në shumë raste me mungesë dokumentacioni. Për të gjitha këto subjekte janë marrë masa përkatëse administrative.
Task Forca e Transportit Rrugor bën me dije se kontrollet do të vijojnë edhe përgjatë ditëve në vijim, si rregullator i konkurrencës së pandershme, për rritjen standardeve të shërbimit dhe komoditetit të qytetarëve.
Ky aksion ka ardhur pas udhëzimit të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila pak javë më parë thirri në një takim përfaqësuesit e transportit publik ndërqytetas dhe ndërkombëtar që operojnë në vendin tonë. Ministrja garantoi se do të ketë një rregullim të operimit të linjave të transportit publik, duke theksuar se në fokus të kësaj ndërhyrjeje është goditja e paligjshmërisë në sektor, eliminimi i konkurrencës së pandershme dhe ofrimi i një shërbimi cilësor për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë