Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kryeprokuroren e Korçës, Dhorina Theodhori.
Treshja gjykuese e KPK-së përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Etleda Çiftja anëtare.
Ndërsa nuk u konstatuan probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës, por një nga gjashtë denoncimet nga publiku u bë pjesë e debatit në seancë.
Bëhej fjalë për një nga gjashtë denoncimet nga publiku. Relatorja Bungo shpjegoi se denoncuesi pretendon se nuk është tërhequr një dosje nga gjykata civile, para vendosjes së mosfillimit të hetimit nga prokurorja Theodhori. Sipas relatores, duket sikur subjekti nuk ka kryer procedurat e duhura dhe pse ka interpretuar lidhur me këtë pretendim në vendimin e mosfillimit.
Drejtuesja e Prokurorisë së Korçës deklaroi se vendimi për mosfillimin e hetimeve për çështjen e denoncuar ishte konfirmuar nga eprori i saj dhe se denoncuesi nuk kishte ankimuar.
Prokurorja Theodhori përmendi edhe një udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm që u hiqte vëmendjen vartësve për numrin e madh të kallëzimeve për falsifikime të dokumenteve të pronave, të cilat mund të përdoreshin për shtyrjen e gjyqeve civile.
Ajo theksoi se nëse ekspertët do të kishin kryer ekspertim të rremë, ishte detyra e saj që të niste kryesisht hetimin. Por Theodhori shtoi se konstatimet e tyre ishin konfirmuar edhe nga ekspertë të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



