Lajme

Shkelje etike, nxitje dhune dhe reklama të fshehura, AMA gjobit katër televizione

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka gjobitur tre televizione, dy prej të cilave me licencë kombëtare për shkelje të etikës dhe për reklamime të fshehura. Televizionet e gjobitura janë TV Klan, Ora News, Report TV , News24.

Ora News është gjobitur me 400 mijë lekë të reja për përmbajtjen e emisionit “Ju flet Moska” të datës 18 mars 2019. Tema e trajtuar në këtë emision ishte zgjedhur ‘Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”. AMA ka gjetur shkelje se në këtë emision, autori me deklaratat e bëra ka nxitur intolerancën, justifikon dhunën, nuk respekton gjuhën dhe largminë e traditave të besimeve fetare dhe nxit urrejtje mbi baza fetare.

Report TV është dënuar me 200 mijë lekë për emisionin “Pa gjurmë” të 14 janarit 2019, pasi sipas AMA-s, ka dhunuar të drejtat e një fëmije duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij duke mos ruajtur konfidencialitetin.

News24 është gjobitur me 120 mijë lekë, pasi AMA thotë se në edicionin e orës 19:00 të datës 15 mars 2019 ka gjetur dy reklama të dhëna njëra pas tjetrës. Po kaq është gjobitur edhe televizioni Klan, i cili gjithashtu është gjetur me të njëjtën shkelje, por në emisionin “Rudina” të datës 27 mars 2019.

Në njoftimin e shpërndarë, AMA u tërheq vëmendjen operatorëve me licencë kombëare që të zbatojnë ligjin mbi transmetimet për personat me nevoja të veçanta shqisore dhe marrjen e masave që transmetimet të mundësohen edhe me gjuhën e shenjave.

Bordi i AMA-s i ka vendosur vetes tre prioritete në mbikëqyrjen e operatorëve të shërbimit të medias audovizive për këtë vit. Së pari është mbrojtja e fëmijëve në transmetime, reklamat e fshehura dhe komunikimet tregtare dhe programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin dhe medikamentet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë