Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 37 personat e arrestuar për aktet e dhunës në protestën e 13 prillit të organizuar nga opozita para Kryeministrisë.
Trupa gjykuese vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 3 protestues, masën “arrest shtëpie” për 2 protestues dhe “detyrim paraqitje” për 32 të tjerë.
Gjykata la në burg shtetasit Armando Gecaj, Edmond Bushi, Eneid Gjata.
Jashtë ambienteve të Gjykatës, sekretari i Përgjithshëm i PD, njëkohësisht edhe organizatori i protestës, Gazment Bardhi i konsideroi shtetasit që u lanë në burg, si të burgosur politik.
“Ata janë thjesht të burgosur politik për shkak se mbështesin PD. Edi Rama është duke i vendosur një tjetër damkë Shqipërisë, atë të burgosjes politike. Të jetë i sigurt se sa më shumë të burgosur politikë të ketë atje brenda aq më shumë protestues do të kemi në protestat e radhës. Dhuna do t’i kthehet mbrapsht”, tha ndër të tjera Bardhi.
Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 16 të arrestuar dhe masën “detyrim paraqitje” për 21 shtetas të tjerë.
Në mbështetje të tyre para gjykatës kanë shkuar jo vetëm familjarë, por edhe ish-deputetë të opozitës së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
Përpos të arrestuarve, policia ka proceduar penalisht edhe 23 protestues, mes tyre edhe organizatorin e protestës, Gazmend Bardhin.
Protesta e së shtunës u shoqërua me dhunë dhe tension mes protestuesve dhe forcave policore. Nga protesta e opozitës pati 5 punonjës policie të lënduar, po ashtu edhe disa protestues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







