Më shumë se 60 protestues janë ndaluar përgjatë orëve të vona natës dhe paradites së sotme nga Policia, pas protestës së opozitës ditën e djeshme.
Në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi duke e konsideruar protestën e opozitës të paligjshme dhe e rrezikshme. Lleshaj numëroi sipas tij, shkeljet e bëra gjatë protestës së djeshme, madje duke akuzuar përfaqësuesit e opozitës edhe për thirrje antikushtetuese.
“Protestë e dhunshme e paligjshme dhe e rrezikshme. Ishte një devijim i rëndë nga ligji, pati shumë më pak pjesëmarrës, gjë që përbën një lajm pozitiv se tregon që shqiptarët po kuptojnë se pas kujt nuk duhet të rendin dhe pas kujt duhet të shkojnë. Por pati shumë më tepër dhunë dhe tregon dëshpërimin e organizatorëve. Pati më tepër maska, dhe ndaj solli më tepër dhunë”, deklaroi ai.
Sipas Lleshajt, gjatë protestës, pati thirrje antikushtetuese për kryengritje revolucion dhe dhunë.
“U përdorën lëndë të ndaluara shpërthyese që dëmtuan qytetarët. Policia dha shembull dinjiteti në krye të detyrës, policia reagoi me trimëri përballë njerëzve që kanë vrarë njerëz për mbrojtjen e gardheve të tyre”, tha ai.
Protesta e djeshme e opozitës, e nënta që nga shkurti pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, duke shënuar të plagosur nga të dyja palët, por edhe gazetarë.
Në tubimin e djeshëm nuk munguan as protestues të maskuar që provokonin forcat e policisë. Njëri prej tyre, Armando Gecaj, 26 vjeç, është pikasur nga kamerat në disa nga momentet e dhunës që u shënuan si para kryeministrisë, ashtu edhe para Parlamentit.
Ai tashmë është arrestuar nga Policia e Tiranës, dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi edhe vetë ka pësuar lëndime në trup gjatë përplasjeve. Ish-deputeti Bardh Spahia ka vizituar protestuesin në spital, i cili thotë se nuk ka qenë prezent në asnjë skenë dhune.
“Veç kam protestuar. Kam pas një zinxhir. Shi si e kam shpinën, më kan qëlluar në shkelma, këto shenja nuk rrejnë atë se çfarë më kanë bërë mua. Të ma sjellin një kamer që kam qëlluar, nuk i kam gjuajtur askujt, kam mbajtur një zinxhir në dorë”, thotë i riu duke ju drejtuar Bardh Spahisë.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












