Pese efektivë policie janë plagosur në protestën e sotme para godinës së Parlamentit. Mësohet se efektivët janë dërguar në Spitalin Ushtarak, pasi kanë pësuar lëndime në fytyrë pas hedhjes së fishekzjarrëve nga ana e protestuesve.
Për plagosjen e policëve, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili ka publikuar edhe një fotografi, duke komentuar:
“Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, – shkruan Lleshaj.
Ndërkohë, pas hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e policisë, kanë shfaqur shqetësime në frymëmarrje dhe djegie në fytyrë me qindra protestues.
Reagoi edhe kryeministri Edi Rama: “Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, shkroi ai ne Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




