Lajme

Tymuese, flakadanë, bojë e zezë, domate e qumësht drejt Kryeministrisë

Ka nisur protesta e tretë kombëtare e opozitës së bashkuar përpara Kryeministrisë. Nën moton “Shqipëria ngrihet përpara Kryeministrisë”, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike janë mbledhur si fillim përpara selisë së PD për t’u bashkuar përpara godinës qeveritare. Detaji ndryshe nga protestat e mëparshme është se protestuesit janë vetëm me flamujt të PD, nuk shihet asnjë me flamur të LSI.

Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, kanë hedhur flakadanë ndaj forcave të policisë ndërsa është qëlluar me bojë në godinën e Kryeministrisë, duke lënë shenjë në dritaren e këshillit të ministrave. Në shenjë solidarizimi me fermerët ata kanë nisur të hedhin domate drejt kryeministrisë.

Edhe pse moti ka qenë i pafavorshëm, kjo nuk i ndaluar protestuesit e rretheve që të marrin pjesë në tubim. Partia Demokratike ka gjetur zgjidhje edhe për reshjet e shiut, pasi ka shpërndarë çadra me mbishkrimin “Rama ik”, një gjetje kjo si për të dhënë mesazhin e tyre, ashtu edhe për të vazhduar kauzën.

Protestës i janë bashkuar edhe fermerë, të cilët kanë marrë me vete edhe disa shishe me qumësht. Ata kanë protestuar pak ditë më parë duke derdhur produktet e tyre në rrugë.

Nuk dihet skenari i protestës dhe sa do të zgjasë protesta, por raportohet se demokratët kanë lajmëruar vazhdimin e tubimit deri në mesnatë.
Që para nisjes së protestës, forcat policore u vendosën para godinës së qeverisë.
Janë mbi 1500 efektivë policie, të cilët janë të pajisur me maska kundërgaz.


Që mbrëmë policia rrethoi me gardhe hekuri perimetrin përreth godinës së Kryeministrisë, si dhe pjesën anësore në krah të godinës së Piramidës. Kamerat e sigurisë janë pastruar sot paradite, si dhe derës kryesore të godinës qeveritare i janë vënë sërish pjesët mbrojtëse hermetike. Ashtu si dhe në protestat e tjera, policia ka lyer shtyllat e ndriçimit me graso, për të mos lejuar ngjitjen e protestuesve, si dhe ka vendosur autoparlantët për t’i përdorur në rast të ndonjë incidenti apo tentative për të ushtruar dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë