Në sajë të operacionit policor të koduar “Fundjava” është goditur një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Policia bën me dije se ka arrestuar shtetasin M. H., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës.
35-vjeçari ishte në vëzhgim nga shërbimet e policisë, pasi për të disponohej informacion se merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.
Shtetasi është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rrethrrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e tij, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



