Universiteti Bujqësor i Tiranës është tërhequr nga pengimi i ndërtimit të shkollës “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz, në fidanishten ku kryheshin praktikat mësimore të studenteve.
Pas mbledhjes së senatit të UBT, me shumicë votash është vendosur pro ndërtimit të shkollës.
Senati i UBT-së nëpërmjet një deklarate për shtyp theksoi se nuk janë kundër ndërtimit të shkollës, por kjo duhet të shoqërohet me shtim të transparencës. Sipas tij, nevoja për shkollë e komunitetit është shumë e madhe dhe si e tillë, UBT-ja nuk mund të bëhet pengesë.
“Ashtu siç kemi theksuar në deklaratën e parë më 3 prill, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se UBT nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kundër në ndërtimin e çdo shkolle. Ne jemi të bindur se ndërrimi i shkollës është domosdoshmëri për komunitetin. Ne mbështesim takimet dhe konsultimet intensive ndërmjet titullarëve të UBT-së, Bashkisë Tiranë, edhe ministrisë, të cilët qartësuan pjesët juridike”, thuhet në deklaratë.
Ndërsa Rektorati është shprehur se nuk është kundër ndërtimit të shkollës, por kërkon transparencë.
Më herët, studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës dolën në protestë për të mos lejuar punimet te Parku i bimëve pyjore në UBT, pasi aty bëjnë praktikën. Atyre iu bashkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike.
Aty do të ndërtohet një shkollë e re 9 vjeçare dhe një e mesme për të plotësuar nevojat jetike të komunitetit në Kodër-Kamëz.
Në këtë kohë përplasjesh mes UBT-së dhe Bashkisë së Tiranës, lidhur me ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare në zonën ku është fidanishtja e Universitetit, u vu nën hetim nga Prokuroria e Tiranës Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Bahri Musabelliu, për abuzime me tenderat në lidhje me ndërtimin e murit rrethues.
Pas tërheqjes së Universitetit Bujqësor të Tiranës nga pengimi i ndërtimit të shkollës “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz, vjen edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës.
Përmes një deklarate, Bashkia e Tiranës e ka përshëndetur dhe mirëpritur vendimin e Senatit dhe Rektoratit të UBT-së, i cili i hap dritën jeshile ndërtimit të shkollës “Nënë Tereza”, e cila është një domosdoshmëri për banorët e zonës së Kodër-Kamzës dhe qytetit të Tiranës.
Bashkia thekson se pavarësisht kundërshtimit nga ana e universitetit, tanimë u kuptua nevoja për një shkollë të arsimit parauniversitar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



