Politike

“Nuk e njohim Kosovën”, Gent Cakaj përplaset sërish me Daçiç

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj është përplasur në një debat me homologun e tij serb, Ivica Daçiç në Ministerialin e Varshavës në Poloni.

Mësohet se Daçiç ka kërkuar që ministri i Jashtëm Kosovar, Behgjet Pacolli të mos jete pjesë e takimit dhe është ngritur për t’u larguar nga salla, teksa ka theksuar se Serbia nuk e njeh Kosovën.

Në këtë moment ka ndërhyrë Cakaj duke ju drejtuar Daçiç: “E di që po më dëgjon, prandaj po të flas. Fjalimi i Daçiç është një retorikë e shekullit XX dhe totalisht pa vend dhe pa sens. Daçiç ka 28 vite në politikë e unë kam 28 vite jetë. Por për shkak të 28 viteve të tij, unë kam 28 vjet refugjat.”

Pas ndërhyrjes së Cakaj, Daçiç ka kërkuar të marrë fjalën sërish, por nuk është lejuar nga drejtuesi i takimit.

Kjo nuk është hera e parë që Cakaj përplaset me Daçiç. Në vizitën e tij të parë jashtë vendit në shkurt 2019, në Bukuresht, Cakaj ka pasur një debat me Daçiç, i cili  ka shprehur shqetësimin për prezencën në tryezë të dy ministrave nga Kosova.

“Pse Kosova ka dy ministra të Jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i Jashtëm Edi Rama”, tha ai.

Por Cakaj, i ka kujtuar Daçiç origjinën. “Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë, ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë